Fëmijë jetim dhe i sëmurë rëndë! Ky 7 vjeçar ka nevojë për ndihmën dhe lutjet e shqiptarëve

 Fëmijë jetim dhe i sëmurë rëndë! Ky 7 vjeçar ka nevojë për ndihmën dhe lutjet e shqiptarëve

Dergjet në shtratin e spitalit prej kohësh. Është 7 vjeçar dhe vuan nga leuçemia akute. Gjendja e tij shëndetësore është e rëndë dhe nënës së tij, nuk i ka mbetur veçse të lutet për të birin. Ajo e vetme nuk mund ta shpëtojë dot.

Ezeli 7 vjeçar, me origjinë nga Bilishti i Korçës, ka nevojë për trajtime mjekësore që e tejkalojnë shumëfish mundësinë financiare të nënës e familjes. Ezeli është jetim, pasi i ati ka ndërruar jetë vite më parë.

Nëna e Ezelit, Enkelejda, i është drejtuar me një mesazh prekës të gjithë shqiptarëve dhe emisionit “Shqiptarët për Shqiptarët”.

“Përshëndetje, jam mami i Ezelit, 7 vjeçarit që u diagnostifikua me leuçemi akute. Ezeli është jetim, nuk e ka babain. Trajtimi është shumë i kushtueshëm. I drejtohem Elvis Naçit, të gjithë shqiptarëve kudo ndodhen. Ju lutem më ndihmoni ta shpëtoj djalin. Unë e vetme s’mund t’ja dal, por të gjithë bashkë po. Me shpresën dhe besimin në Zot, ju lutem më ndihmoni.”-thotë Enkelejda, nëna e Ezelit.