Fenomeni shqetësues, në 6 muaj gjashtë fëmijë të porsalindur u braktisën nga prindërit

 Fenomeni shqetësues, në 6 muaj gjashtë fëmijë të porsalindur u braktisën nga prindërit

I sollën në jetë, por i lanë nëpër spitale. Në gjashtë muajt e parë të vitit 2022, të paktën 6 fëmijë të porsalindur janë braktisur nga familjet. Duke patur parasysh statistikat zyrtare, këta fëmijë i janë bashkuar 28 të tjerëve që janë braktisur gjatë viteve të fundit në Kosovë.

“…Rezulton që gjatë këtij viti deri me datë 30 qershor janë braktisur gjashtë fëmijë, dhe nëse e krahasojmë me vitin e kaluar është përafërsisht numër i njëjtë i braktisjes së fëmijëve. Gjithsej përfshirë rastet e reja dhe rastet e bartura nga vitet paraprake janë 28 fëmijë aktualisht në kuadër të mbrojtjes institucionale, përmes formave të mbrojtjes ligjore dhe familjare.”-tregoi për Kosova Press Magbule Koci, zyrtare për mbrojtjen e fëmijëve të braktisur.

Por ka raste kur prindët pendohen. Vijnë dhe marrin fëmijët e porsalindur. Në tri raste, në klinikën e Neonatologjisë prindërit kanë marrë fëmijët. Drejtoresha e kësaj klinike, Hajrije Ismaili, shpjegoi:

“Në rastet kur familjarët braktisin fëmijët, varësisht prej natyrës së problemit social, shëndetësore apo tjetër, kujdesi bëhet nga personeli i Klinikës së Neonatologjisë. Nëse eventualisht ka nevojë për trajtim mjekësor, ato qëndrojnë edhe me gjatë, ndërsa nëse gjendja e tyre shëndetësore është e mirë dhe familjarët bëjnë bashkim familjar, ato dërgohen te familjet e tyre, ndërkaq rastet e tjera kur janë dilemat nëse do të përkujdeset nga ana e familjes apo ende janë në pikëpyetje të tjera, nëse ende nuk janë zgjidh ato dilema, atëherë këto shkojnë në Qendrën për Punë Sociale. Zakonisht qëndrimi maksimal është 28 ditë në klinikën tonë”, shpjegoi ajo.

Siç raporton Kosova Press, në SOS fshatrat e fëmijëve janë të paktën 50 të tillë të braktisur. Fëmijët mund të jetojnë aty deri kur mbërrijnë në moshë madhore ndërsa më pas ata përkujdesen edhe për tri vite të ardhshme përmes platformave të punësimit.