Festa ndryshe e Korçës, dimrin e ‘largojnë’ mes zjarreve

 Festa ndryshe e Korçës, dimrin e ‘largojnë’ mes zjarreve

Korça festoi mbrëmjen e djeshme ditën e fundit të stinës së dimrit, i cili sot i la ‘stafetën’ pranverës. Në qytetin juglindor, 1 marsi shënon një ditë që shumë qytetarë atje e festojnë me ndezjen e zjarreve.

Këtë 2021, për shkak të pandemisë, festa ka qenë më e vogël në numra, por sërish qytetarët kanë dalë në lagjet e tyre për të ndezur zjarrin që sinjalizon mbarimin e dimrit dhe ardhjen e diellit e temperaturave të ngrohta.

“Mezi pritëm që të vinte dita e pranverës, të mblidhnim drutë dhe të kapërcenim zjarrin”-tha në prononcim për mediat një djalë i mitur.

“Meqenëse ne jemi qytet dimëror, ne e kemi shumë të nevojshme ardhjen e verës”-tha një grua.

“Është një traditë e vjetër në Korçë, e festojmë gjithmonë”-tha një grua tjetër, ndërsa një e moshuar tregoi se ka gatuar kulaçin dhe një kek.

Banorët e Korçës ndryshe nga qytetet e tjera, e festojnë ardhjen e stinës së ngrohtë edhe më 1 mars (përveçse 14 marsit, e shënuar si dita e verës dhe e festuar kudo në Shqipëri).

Ky është një ritual që zanafillën e ka në ritet pagane, por që njëlloj si shumë rituale të lashta të të parëve, këto ditë rivijnë në kujtesën e qytetarëve si momente festimi.