“Firdeus” i bashkohet amanetit të dhënë para 130 vitesh, çfarë dhuroi për shtëpinë e të moshuarve

 “Firdeus” i bashkohet amanetit të dhënë para 130 vitesh, çfarë dhuroi për shtëpinë e të moshuarve

Asnjë akt bamirësie nuk është i vogël… por kur të tilla gjeste i bën që nga fundi i shekullit të XIX, atëherë kemi të bëjmë me diçka të madhe.

Kjo është shtylla që mban në këmbë historinë e azilit ‘Strehë dhe Shpresë’, një qendër pritave në Tiranë, që 130 vite më parë nisi si orvatja e dy shqiptarëve për të ndihmuar të pamundurit.

Drejtuesi i qendrës Hysni Kuka, na thotë se gjithçka nisi më 1892 kur të parët e tij Sali e Hasan Kuka, vendosën të ndihmojnë jetimët dhe të vobektit në kryeqytet.

Më 1917, misioni i këtyre shqiptarëve u kthye në një strehë vorfnore dhe ndihmoi dhjetëra e qindra të pamundur. Me ardhjen e komunizmit misioni ndaloi. Në vitet ‘90 Myslim Kuka, arriti që me financimet e tij si emigrant në SHBA, të rikthejë sërish në vend amanetin e të parëve. Qendra u hap sërish dhe sot drejtohet nga nipi i tij, Hysniu.

Pikërisht sot, Hysniu ka një arsye për t’u lumturuar. Shembullin dhe modelin që e përcollën të parët e tij, e gjeti në krah tek fondacioni ‘Firdeus’ dhe ‘Shqiptarët për Shqiptarët’. Për një vit rresht, dreka për të moshuarit që jetojnë në këtë qendër, është siguruar nga fondacioni.

Hysniu: ‘Shqiptarët për Shqiptarët’ e fondacioni ‘Firdeus’ na kanë mundësuar drekën për ju, për një vit me radhë. Nuk është tup të jesh i varfër, të jesh në rrugë e të kërkosh një ndihmë për njerëzit që e kanë mundësinë ta japin atë.

Mund edhe të mos e besojë ndokush, por në kohën e luftës, këtu janë strehuar 1256 shqiptarë të Kosovës. Jam krenar për xhaxhain dhe tim atë, të cilët më kanë ngarkuar me këtë mision. E ndjejmë si detyrë për të dhënë, për të ndihmuar… nuk jetoj dot pa këtë gjë. Kjo është një familje e madhe. Sot kemi 72 të moshuar të cilët marrin ndihmë. Janë njerëz të braktisur me probleme sociale. Firdeus na dhuroi një diçka të madhe, na hoqi një shpenzim mjaft të madh, drekën për çdo ditë për 1 vit me rresht.