“Firmosa që im bir mund edhe të vdiste” Fëmijët dhe ‘sfidat’ e rrezikshme në rrjetet sociale

 “Firmosa që im bir mund edhe të vdiste” Fëmijët dhe ‘sfidat’ e rrezikshme në rrjetet sociale

Masivizimi i rrjeteve sociale dhe komunikimit në tërësi, ka dhe anët e tij negative. Veçanërisht për një shtresë të pambrojtur, siç janë fëmijët.

Rasti i këtij 9 vjeçari ka rihapur sërish debatin e madh të nevojës së kufizimit të kontaktit të fëmijëve me rrjetet sociale apo luftimin e disa ‘sfidave’ që përbëjnë rrezik për shëndetin e të miturve në veçanti.

Ky fëmijë quhet Xhek Mejson (Jack Mason) dhe përfundoi në spital të martën e kaluar. Gjendja e tij shëndetësore ishte serioze. Kishte dhimbje të mëdha në stomak e zorrë. Pas kontrollit, mjekët zbuluan se fëmija kishte gëlltitur disa zara magnetikë. Dëmi në zorrë ishte aq i madh, saqë mjekët paralajmëruan nënën e 9 vjeçarit, se i biri mund të mos dalë gjallë nga spitali.

“Sikur të mos mjaftonte që situata ishte e rëndë, mjekët më shpjeguan se dëmi mund të ishte aq i madh, saqë im bir mund të vdiste. Mes lotëve që më mbushnin fytyrën, u detyrova të firmos. Për të dhënë lejen për operimin dhe për të pranuar se gjithçka mund të ndodhë”-tregoi nëna e 9 vjeçarit për median e huaj.

Mjekët u detyruan t’i heqin disa pjesë të zorrëve të dëmtuara 9 vjeçarit në një operim mjaft të vështirë e të komplikuar. Fatmirësisht, 9 vjeçari arriti t’ja dalë me sukses ndërhyrjes dhe qëndron ende në spital për t’u rikuperuar.

“Ishin orët më të gjata të jetës sime”-tregoi nëna e vogëlushit.

Siç raporton media e huaj, ‘sfida’ që zhvillohej në Tik Tok, kërkonte që të vendosje dy zara magnetikë në pjesët anësore të gjuhës (ose një zar në mes të gjuhës), për të dhënë përshtypjen/ dukjen se kishte pirsing (piercing) në gjuhë.