Fjalë drithëruese nga babai i Klodian Rashës! Pavarësisht dhimbjes, Qazim Rasha bën gjestin e madh

 Fjalë drithëruese nga babai i Klodian Rashës! Pavarësisht dhimbjes, Qazim Rasha bën gjestin e madh

Djalin ia vrau arma e shtetit shqiptar dhe pas asaj ngjarje të rëndë, mijëra shqiptarë dolën në protestë. Sot, babai i Klodian Rashës, ka përcjellë përmes emisionit ‘Shqiptarët për Shqiptarët’ dhimbjen e tij të papërshkrueshme. Humbja e djalit e ka thinjur më tej e duket sikur lotët nuk arrin t’i qetësojë.

Dhjetëra shqiptarë e kanë ndjerë në zemër që të dhurojnë diçka për familjen Rasha. Por Qazimi, pavarësisht dhimbjes së pamatë për vrasjen e të birit, ka vendosur që të kryejë një gjest të mrekullueshëm.

Babai i 25 vjeçarit ka vendosur që t’i dhurojë të gjitha paratë e mbledhura pas vdekjes së të birit, për kurimin e vogëlushes nga Shkupi, Adisës që vuan nga skolioza.

Në një lidhje direkte me emisionin, Qazim Rasha ka dhënë një mesazh të ndjerë e rrëqethës që kumboi në shumë zemra.

Qazim Rasha: Ju falënderoj që ndatë dhimbjen bashkërisht për djalin tim. Dhimbja e djalit tim është dhimbja e gjithkujt, është fatkeqësi e rëndë, është një bombë që nuk përjetohet, por mua më ra për pjesë. Mendova që pjesën time, për interesimin që bënë për djalin tim, që u munduan të ma lehtësonin dhimbjen, duke qenë se në shtëpinë time shumë njerëz kanë ardhur për të kontribuar për shpirtin e Klodianit, të mund t’ua kthej këtë në një gëzim. Nuk mund të pranoj t’i fus në shtëpi ndihmat që na kanë dhënë për Klodianit, se ai cfarë pati e mori me vete. Të mundohemi të shërojmë një zemër nëne, një zemër prindi, një plagë. Apeli im është mos lëndoni nëna, mos lëndoni zemra, mos merrni jetë. Duke falënderuar babain e artistit Noizy e të gjithë ata që më kanë ndihmuar, kam vendosur t’ia dhuroj paratë vajzës, që po dergjet. Të gjitha ndihmat për Klodianin t’i kalojnë shërimit të asaj vajze. Zoti e shëroftë. Plagë të tilla mos përjetoftë askush

Elvis Naçi: Jemi gjithë shumë të emocionuar këtu, na i mbushi sytë dhe zemrat me lot.

Qazim Rasha: Jam pa fjalë, çdo zemër të shërohet, asnjë zemër të mos lëndohet. Çdo nënë të gëzojë, çdo fëmijë të jetojë. Zoti i begatoftë zemrat e çdo shqiptari, asnjë familje mos e provoftë. Mundohuni të shëroni zemra, mos u mundoni të plagosni zemra.

Elvis Naçi: Çdo donacion që bëhet sot të shkojë për shpirtin e Klodit e të shkojnë për Adisën e vogël. Zoti ju bekoftë edhe ju Qazim pas asaj sprove që kaluat!