“Fjalët e fundit që më tha babai para se të vdiste”

 “Fjalët e fundit që më tha babai para se të vdiste”

“Shqiptarët për shqiptarët” udhëtoi në fshatin Gështenjas në Pogradec, atje ku një familje jeton në mes të skamjes dhe me kujtimin e kryefamiljarit, i cili ndërroi jetë një vit më parë. 16 vjeçarja Fjorela rrëfen i kujton me detaje momentet kur i ati u ndje keq. Me shtrimin në spital, babai i dha Fjorelës dhe një amanet.

“Unë jam Fjorela Çollaku dhe jam 16 vjeç, jetoj me mamin dhe me motrën 9 vjeç Manuelen. Mami është 38 vjeç, babi më ka vdekur para një viti e gjysmë. Atë ditë i dhimbte barku e dërguam me ambulancë në Pogradec pastaj e dërguam në Tiranë.

I kishin vënë oksigjen dhe tha hajde pak. Dëgjo kam dy fjalë. E para ruaj mamin e motrën dhe e dyta shpjere mamanë deri në fund kur… (qan). Pastaj dola. Më pas më shoqëroi gjyshi, kam ardhur vetë me furgon këtu në Pogradec. Mua nuk më treguan. Kur unë erdha këtu babai kishte vdekur… kemi parë fatkeqësi.”-thotë Fjorela.

I ati i mungon edhe motrës së vogël. 9 vjeçarja Manuela thotë se një ditë ai do të trokasë përsëri në derë dhe do ta përqafojë.

 “Babi më mungon shumë, doja shumë të ishte këtu me ne, por nuk është. Mua më duket si ëndërr, nuk më besohet që ai ka vdekur, më duket se do hapet dera dhe ai do më përqafojë”,-thotë motra e Fjorelës.

Familja në Gështenjas është e mbytur në borxhe, lista në dyqane është kilometrike ashtu sikurse faturat e papaguara.  As shtëpia nuk është e tyrja.

“Në dyqanet pranë shtëpisë jemi në borxhe, blejmë bukë me listë. Fatura e ujit e papaguar është 2.5 milionë lekë të vjetra. Kur bie shi shtëpia mbushet me ujë, vendosim kova me ujë dhe i heqim. Ne brenda shtëpisë, vetëm dy divanë kemi. Na i kanë falur njerëzit, asnjëherë nuk kam patur krevate, na vritet kurrizi, por çfarë të bëjmë në këto kushte jemi. Ëndrra ime është ta çoj amanetin e babit deri në fund, të kemi një shtëpi dhe të na lahen borxhet se po na vijnë njerëzit po na trokasin në shtëpi duan lekët borxh. I japim nga pak po me 10.000 lekë çfarë mund të bësh? Asgjë! Mami qan e thotë se nuk na ushqen dot. U lutem shqiptarëve të na ndihmojnë se jemi dy jetime”, -me lotësh e mbyll thirrjen Fjorela.