Fjalët përlotëse të një nëne, pas operimit të vajzës: Erdhi kjo ditë, më e lumtura e jetës sime

 Fjalët përlotëse të një nëne, pas operimit të vajzës: Erdhi kjo ditë, më e lumtura e jetës sime

Që në moshë 8 vjeçare, trupi i saj u prek nga sëmundja. Dhimbjet e shoqëruan përgjatë gjithë kohës. Jeton në një familje që nuk ka të ardhura, por pavarësisht varfërisë, prindërit bënë çfarë të kishin mundësi. Pas vizitave përdori një korse për trupin, që të mund të ndalonte shtrembërimin e shtyllës kurrizore… por pa asnjë rezultat.

E pikërisht dëshpërimi për jetën, e bëri këtë 17 vjeçare që të kërkonte ndihmë nga shqiptarët. Maria Hasa quhet. Rrëfimi i saj u tregua në emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët”.

“Nuk mund të ndiqja shkollën vitin e kaluar, mbaja korse, më shikonin shoqet dhe ndihesha në siklet. Për shkak të sëmundjes nuk qëndroj dot gjatë në këmbë ose ulur. Dua të rri veç shtrirë. Nuk ndihem rehat, nuk bëj dot lëvizje të tepërta”- tregonte Maria.

Të premten që lamë pas, emisioni “Shqiptarët për Shqiptarët” transmetoi rrugëtimin e saj. Së bashku me të ëmën, ato udhëtuan jashtë shtetit për t’u përballur me një operacion të vështirë, me shpresën se gjithçka do të shkojë mirë.

Në spital ndodheshin dhe dy vëllezër nga Kosova, Besniku e Lendriti, të cilët po ashtu po bëheshin gati për të hyrë në operim për t’i shpëtuar skoliozës.

Me ardhjen në Stamboll, Maria kreu disa analiza. Tashmë ajo po bëhet gati shpirtërisht që të hyjë në operim. Ndërhyrja nuk është e thjeshtë, por 17 vjeçarja është e lumtur. Më në fund erdhi dita që t’i thotë lamtumirë sëmundjes.

Maria: Do të doja të vija në Stamboll për qejf, por sërish jam e lumtur që kam ardhur këtu për t’u operuar. Kam 9 vite që vuaj nga kjo sëmundje. Ia dola dhe erdhi kjo ditë, mezi po e prisja. Jam e qetë, e lumtur sepse do ja dalim.

Dita shkon shpejt dhe Maria niset drejt sallës. E ëma veçohet në dhomë për t’u lutur që gjithçka të shkojë mirë. Pas disa orëve, mjeku i tregon se operacioni ishte i suksesshëm. Një ndjenjë çlirimi për këtë grua që ka vuajtur prej thuajse 10 vitesh për të bijën.

Pas një nate në reanimacion, Maria mbërrin në dhomën e spitalit. Çfarë gëzimi të shohësh këtë nënë që i puth duart të bijës.

Nëna: I falenderoj të gjithë shqiptarët që kanë kontribuar për vajzën time. Elvis Naçin dhe stafin e emisionit. Shumë faleminderit dhe Zoti ua shpërbleftë të gjithëve. Se prisja. Mu duk shumë gjatë, por erdhi kjo ditë. Dita më e lumtur për mua. Që vajza u shërua, u bë njëlloj si shoqet e saj.

Marias, do t’i duhen 3 deri në 6 muaj derisa trupi i saj të rikuperojë plotësisht. Pas kësaj kohe të shkurtër, ajo do të jetë më në fund si gjithë vajzat e tjera.