Fjalët prekëse të një nëne drejtuar shqiptarëve, që mundësuan operimin e dy djemve të saj

 Fjalët prekëse të një nëne drejtuar shqiptarëve, që mundësuan operimin e dy djemve të saj

Këtu jemi në Turqi në një spital ku na presin dy vëllezër nga Mitrovica e Kosovës. Ata janë Besniku e Lendriti. Të dy të prekur nga sëmundja. Por tashmë duket sikur rrëfimi i tyre për dhimbjet që përjetuan, është një histori e largët.

Falë shqiptarëve bamirës dhe emisionit “Shqiptarët për Shqiptarët”, ata ndodhen këtu për t’i shpëtuar përgjithnjë skoliozës që u rrezikonte jetën dhe u kishte shtypur çdo ëndërr.

Besniku na thotë se është i qetë. Nuk ka frikë për një arsye të thjeshtë, sepse ky operim do t’i japë mundësinë të jetë si gjithë të tjerët.

Besniku: Frikë nuk kam për operacionin se ai është edhe më kryesori për mua. Pasi kjo ditë erdhi me ndihmën e shqiptarëve, që edhe unë të bëhem njeri si të gjithë. I falenderoj shumë të gjithë, shumë.

Lendriti po ashtu duket entuziast. Të dy vëllezërit kanë kryer nga një operim dhe presin tashmë ndërhyrjen e dytë dhe përfundimtare. Lendriti mezi pret të shkojë sërish në Kosovë, e kësaj here me dëshirën e madhe për të gjetur një punë. Një ëndërr që skolioza ia kishte fshehur prej shpirtit

Lendriti: Dua shumë të iki në Kosovë. Pas 2 muajsh kam dëshirë të nis punën si kuzhinier, e kam pasion kuzhinën.

E duket se tashmë ka ardhur koha. Djemtë nisen drejt operimit, ndërsa prindërit e tyre qëndrojnë në ankth. Operimet zgjasin dhe të dy djemtë shkojnë në reanimacion pas ndërhyrjeve.

Ndjenja e ankthit për këta dy prindër është e madhe, por doktori u tregon se gjithçka ka shkuar mirë në të dyja rastet dhe djemtë janë në gjendje të stabilizuar. Dita bëhet natë e më në fund, këta prindër shohin dy djemtë e tyre.

Më në fund pas shumë kohësh, në fytyrën e nënës së Besnikut e Lendritit gjen momente lehtësimi dhe fjalë që burojnë nga zemra.

Nëna: Tani jam e lumtur. Të dy djemtë kanë dalë me sukses e zemrën tani e kam ndryshe. Kurrë nuk e kisha besuar që do të vinte kjo ditë.

Babai: Operacionet kanë shkuar mirë dhe me kalimin e kohës kurrizi i tyre do të vijë në vend. Tani jam më i qetë… faleminderit të gjithë atyre që më kanë ndihmuar, Allahu ju shpërbleftë.

Mjeku na shpjegon se dy vëllezërit ishin në gradën e tretë të përkeqësimit, dhe ndaj kërkohej që për ta të kryheshin dy operime.

Mjeku: Skoliozat i ndajnë në tre gradë të përkeqësimit. Dy vëllezërit nga Kosova ishin në gradën e tretë. Sidomos vëllai i madh Besniku, e kishte më të vështirë. Trupi i tij kishte humbur elasticitetin dhe ishte i ngrirë. Në këto raste kërkohet eksperiencë nga ana e doktorit. Këto raste ne preferojmë t’i bëjmë në dy faza operimi e kështu bëmë me dy vëllezërit, pasi të tilla operime kërkohet shumë kohë në operim.

E rëndësisshme është që rreziku për jetën tashmë është kaluar. Pas 6 muajsh ata mund të vijojnë të kenë një jetë normale.

Gjatë jetës sime kam operuar 12 mijë njerëz me probleme me skoliozën. Për mua operimet kanë qenë të suksesshme dhe do gjë ka shkuar si duhet.