Foshnja hidhet nga kati i tretë për t’i shpëtuar flakëve! Këta të rinj kthehen në heronj

 Foshnja hidhet nga kati i tretë për t’i shpëtuar flakëve! Këta të rinj kthehen në heronj

Një foshnje veçse 6 muajsh ka mundur t’i mbijetojë mrekullisht rënies nga lartësia e katit të tretë, të një ndërtese që kishte marrë flakë.

Ngjarja ka ndodhur në Nantes të Francës, ndërsa një grup djemsh të rinj janë munduar me mish e shpirt për të shpëtuar njerëzit që kishin mbetur të bllokuar nga flakët e tymi.

Një video ka regjistruar momentin kur prindërit e mbetur në apartamentin nën flakë, kanë hedhur foshnjen e tyre, ndërsa poshtë kishte një sërë dyshekësh për të pritur fëmijën.

“Vendimi për të hedhur bebin ishte e vetmja zgjidhje. Dy minuta më shumë të kishin kaluar, foshnja me siguri do të kishte vdekur”-tha një prej dëshmitarëve okularë në ngjarje.

Fatmirësisht foshnja nuk është dëmtuar dhe menjëherë është dërguar në spital.

Ndërkohë këta të rinj kanë ndihmuar që prindërit të mund të dalin nga apartamenti i mbytur në flakë dhe tym, një akt me të vërtetë heroik.

Kryebashkiakja e qytetit i kërkoi Presidentit të Francës që të dekoronte këta të rinj si heronjtë që arritën të shpëtojnë foshnjen e të mbeturit e tjerë nën flakë.

“Njerëzit u shpëtuan falë guximit dhe trimërisë së këtyre të rinjve, të cilët krijuan një zinxhir njerëzor deri në katin e tretë për të nxjerrë nga flakët ata që ishin në nevojë. Respekt dhe vlerësim për këta të rinj”-tha kryebashkiakja.