Hanë bukë vetëm kur bie shi, historia e trishtë e tre jetimëve

 Hanë bukë vetëm kur bie shi, historia e trishtë e tre jetimëve

Shumica e njerëzve nuk e mirëpresin shiun aqsa këta tre fëmijë jetimë, të cilët qëndrojnë në banesën e tyre të varfër me sytë nga qielli.

Arsyeja është shumë e thjeshtë, Kristina 14 vjeçe, Elisabeta 12 vjeç dhe Kaldi 8 vjeçar, dalin që në orën 5 të mëngjesit për të mbledhur kërmij.

Kërmijtë janë dhe ata që i mbajnë gjallë këta fëmijë dhe nënën e tyre, e cila po ashtu del për të mbledhur lule e dëllinja për t’i shitur në treg.

Klajdi: Po mbledh kërmij, i mbledhim që t’i shesim dhe të blejmë ushqime. Sot nuk gjeta fare, nuk ka rënë shi. Kam mbledhur shumë pak.

Elisabeta: Ngrihem që në 5 të mëngjesit me motrën që të gjejmë kërmij. Nuk kemi bukë për të ngrënë dhe këtë bëjmë, mbledhi kërmij. Lagemi, sidomos këmbët dhe na duhet të shkojmë në shkollë me çorapet qull. Kur bie shi dhe jam me motrën i gjejmë 20 kile.

Kristina: Kur bie shi mbledhim mjaft, kur rrinë disa orë. Kur nuk bie shi nuk gjejmë kërmij dhe në shtëpi shkojmë me 10 copë. Mami mbledh dëllenja, pak më vonë do të nisim të mbledhim lule që t’i shesim.

Nëna e fëmijëve është e veshur me të zeza. Burri i saj humbi jetën në shtëpi për shkak të një ataku kardiak dhe pas vdekjes së të shoqit, të tjera vdekje erdhën. Fillimisht vjehrra e disa javë më vonë gjyshja. Selvia tregon me dhimbje momentin kur ka të shoqin të shtrirë në tokë, duke dhënë shpirt.

Selvia: Me shumë trishtim… ku përballohet jeta kështu? Me 500 halle e borxhe. Selvie Omeri quhem. Burri iku në Greqi për të punuar. Patëm komunikim, por atje i ra një parainfarkt. Burri erdhi në Shqipëri dhe për tre muaj kemi bërë të gjitha analizat. Me borxhe e borxhe, dhe shtëpinë do e shisnim por nuk ia doli. Ishim në punë të dy atë ditë. Erdhëm nga puna e pimë një kafe. Unë do të bëja punët e shtëpisë… më thirrën fëmijët dhe më thanë eja se u rrëzua babi. Kur shkova aty, i kishte rëndë infarkt. Pas të dyzetave më vdiq vjehrra dhe pas asaj gjyshja këtu në shtëpi.

Vajzat e kujtojmë me lot në sy momentin kur babai i tyre u rrëzua në tokë.

Kristina: Ne po bënim detyrat. Babi erdhi dhe na pyeti nëse i mbaruar detyrat, por në atë moment babi u rrëzua… thirrëm mamin dhe nuk e di. Vdiq, ishte e pabesueshme. I kam akoma në mendje ato fragmente, nuk do i harroj kurrë. Mua më vjen shumë keq për mamin se nuk ia del dot.

Nëna e fëmijëve thotë se ka të paktën 10 milionë lekë borxhe, para të cilat janë marrë që në kohën kur i shoqi u sëmur.

Selvia: Tani është shumë e vështirë, i kam hyrë detit me këmbë. Në total kam 10 milionë lekë borxh dhe nuk kam asnjë shpresë, nuk e di se kur do i laj këto borxhe.

Emisioni ‘shqiptarët për shqiptarët’ e përcolli historinë e trishtë dhe të rëndë të kësaj familje që jeton në një zonë të thellë të Prrenjasit. Elvis Naçi shkoi së bashku me të shoqen për të takuar familjen Omeri. Elvisi i tha nënës së fëmijëve se përmes fondacionit, ai do të paguante ato para borxh që ajo ka tek familjarët dhe ata shqiptarë, që në ditët e vështira e kanë ndihmuar.

Fëmijët i treguan Fatmës sesi zgjohen në mëngjes herët dhe i thonë se 1kg kërmij e shesin për 500 lekë të vjetra (50 cent në euro).

“Do u japim fëmijëve një lajm të mirë, nuk ju ka hije që të zgjoheni aq herët dhe të mblidhni kërmij e pastaj të shkoni në shkollë. Çdo muaj do të keni një pension 500 mijë lekë të vjetra. Me kaq para besoj që është shumë më shumë se ajo që mbledhin fëmijët dhe ju lehtëson. Është i garantuar ky pension. Ne do na keni gjithmonë pranë jush.”,-u tha Elvisi fëmijëve dhe nënës së tyre.

Por surprizat nuk kanë mbaruar. Shtëpia e jetimëve është rikonstruktuar falë dhjetëra ndihmave që shumë shqiptarë kanë dhuruar për ata. Fëmijët nuk ishin në dijeni dhe janë përlotur kur kanë parë se do të jetojnë në një shtëpi krejtësisht të re.

“Falenderoj gjithë shqiptarët shumë, ju kam si babain tim”, i tha Kristina Elvisit.“Ju përqafoj shumë të gjithëve, nuk e kisha ëndërruar kurrë këtë shtëpi” thotë Elizabeta.