Harta më e vjetër në Evropë është kjo pllakë guri

 Harta më e vjetër në Evropë është kjo pllakë guri

Foto nga Denis Gliksman

Një hartë “3D” e (ri)zbuluar së fundmi, rezulton të jetë më e vjetra e këtij lloji në të gjithë Evropën.

Harta është e gdhendur në një pllakë guri me dimensione 2 me 1.5 metra. Kjo pllakë guri u zbulua në fillimet e shekullit të XX (1900), teksa arkeologët po gërmonin në një varrezë të lashtë në Finistere të Francës.

Kjo pllakë u harrua për mëse 100 vjet, derisa në 2014, u gjet në një qilar të vjetër në po të njëjtën zonë.

Arkeologët e kanë studiuar në detaje pllakën e gurit dhe kanë konkluduar se daton 4 mijë vite më parë, konkretisht në fillim të Epokës së Bronzit, mes 1900 BC dhe 1650 BC (para Erës sonë).

Pas analizës së gdhendjeve në këtë pllakë guri, u konkludua se harta i përket zonës së Brittany, një vend pranë Nantës në Francë.

Sipas studimit të shkencëtarëve, pllaka e gurit ka një saktësi prej 80% në raport me zonën që pasqyron.

Për BBC, Dr. Clement Nicolas tha se “me gjasë kjo është harta më e vjetër e territorit, që kemi gjetur ndonjëherë. Ka shumë harta të gdhendura në gur nëpër botë, por në përgjithësi ato janë veçse një interpretim. Kurse kjo pllakë, është e para që është përdorur për të pasqyruar me korrektësi një zonë të caktuar. Ne kemi tendencën që ti nënvlerësojmë njohuritë e shoqërive të shkuara, por kjo pllakë guri tregon edhe njëherë, se ka patur njohuri kartografike”.