Hidhen në ujë në mes të natës, si tentojnë të largohen emigrantët nga porti Durrësit

 Hidhen në ujë në mes të natës, si tentojnë të largohen emigrantët nga porti Durrësit

Çdo muaj në tokën shqiptare vijnë emigrantë  që shpresojnë të kalojnë përmes Shqipërisë në shtetet e Bashkimit Evropian.

Shumë prej tyre tentojnë të kalojnë detin përmes trageteve Durrës- Bari. Në portin e qytetit kryhen thuajse përditë aksione për kontrollin e anijeve që nisen drejt brigjeve italiane. Të shumtë kanë qenë emigrantët që kanë tentuar të hipin në anije duke u fshehur. Madje ka patur edhe nga ata që janë hedhur në det për t’u ngjitur më pas nëpër anije përmes zinxhirëve ankorues.

Top Channel ka publikuar disa pamje të njërit prej aksioneve të autoritetit portual. Një i ri me origjinë nga Siria, u kap nga policia. Ai tha për Tch se po tentonte të ikte në Itali, pasi atje jeton e gjithë familja e tij.

-Sa kohë keni këtu në Shqipëri? Sa muaj?

“ Kam vetëm pesë ditë. Kam ardhur në këmbë këtu. Kam ecur për ditë me radhë nga Turqia, Greqia dhe më pas në Shqipëri. Dua të iki tek familja ime që e kam në Itali. Kam mamin, babin, motrën, të gjithë atje. Dua thjesht që të hipi në traget që të shkoj tek ta. Nuk jam kriminel. Për disa muaj kam vuajtur shumë. Ja shikoje këtë shenjë operacioni që kam në bark. Më ka qëlluar policia greke përpara se të vija këtu”-thotë i riu sirian, i quajtur Zoher Harish.

Vitin që lamë pas në vetëm në portin e Durrësit janë ndaluar mbi 1900 emigrantë të paligjshëm, të cilët tentonin të kalonin Adriatikun. Shumë prej këtyre të rinjve janë ‘shkelës’ përsëritës.