Histori prekëse, shikoni aktin bamirës të sportistes për t’i shpëtuar jetën një foshnje 8 muajsh

 Histori prekëse, shikoni aktin bamirës të sportistes për t’i shpëtuar jetën një foshnje 8 muajsh

Pasi vetë u diagnostifikua me një lloj të kancerit në kockë më 2018, atletja polake Maria Andrejczyk luftoi sëmundjen e pas rikuperimit, arriti të fitojë medaljen e argjendtë në olimpiadën e Tokios, në sportin e hedhjes së shtizës.

Një arritje e madhe për sportisten, por sërish siç tregoi ajo “një medalje është thjesht një objekt”.

Atletja kishte mësuar për historinë e trishtë të një foshnje vetëm 8 muajsh, i cili vuante nga një sëmundje e zemrës. Vogëlushi, i quajtur Miloszek, kishte nevojë për një shumë të konsiderueshme parash për të kryer ndërhyrje në zemër, një operim që do të duhej të bëhej në SHBA.

Maria vendosi që ta nxjerrë në ankand medaljen e saj, duke bërë të ditur se po e kryente këtë gjest për të mbledhur sa më shumë para e për t’ ja dhuruar familjes së vogëlushit.

Atletja tha për median e huaj: “Vlera e një medalje mbetet në zemër. Një medalje është thjesht një objekt, por mund të jetë me vlerë kur e vë në shërbim të tjerëve. Kjo medalje mund të shpëtojë një jetë, në vend që të marrë pluhur në një sirtar. Ndaj vendosa që ta nxjerr në ankand”

Një kompani polake e bleu medaljen për 125 mijë dollarë, ndërsa paratë shkuan për familjen e vogëlushit.

Familja e vogëlushit ishte ndihmuar po ashtu nga akti prekës i një familje që po ashtu po grumbullonte para për foshnjen e tyre. Ky i fundit fatkeqësisht ndërroi jetë dhe familja vendosi që të gjitha paratë e mbledhura t’ja dhuronin familjes së Miloszek.

E falë ndihmës së kaq shumë njerëzve, foshnja 8 muajsh së shpejti do të niset drejt spitalit për të kryer operimin, me shpresën se gjithçka do të shkojë mirë.