Historia e 12 vjeçarit që lexonte copa letrash se nuk kishte para të blinte libra

 Historia e 12 vjeçarit që lexonte copa letrash se nuk kishte para të blinte libra

Në një qytezë në Utah të SHBA-ve, një djalë 12 vjeçar shkoi në librari për të dhënë dhurim një numër të madh librash.

Shumëkush u habit nga zemërgjerësia e këtij djaloshi, por po ashtu edhe sesi 12 vjeçari i kishte gjetur librat që dhuroi.

12 vjeçari me emrin Mathew kishte shumë dëshirë të lexonte, por pak para dhe kushte jo të favorshme ekonomike për të blerë libra. Një ditë një prej postierëve që sillte postën pranë lagjes së tij, vuri re 12 vjeçarin duke lexuar copa letrash.

Postieri iu afrua djalit dhe e pyeti se çfarë po bënte. Mathew i tha se nuk kishte para për të blerë libra, e kësisoj mundohej të lexonte copa letrash që gjente në postë apo ndonjë gazetë. I prekur nga fjalët e 12 vjeçarit, postieri u tregoi miqve të tij për rastin dhe i kërkoi ndihmë që t’i sillnin libra. Ai e përcolli historinë e 12 vjeçarit dhe në rrjetin social e miqtë. Postimi u bë viral brenda pak ditësh, aqsa dëshira e Mathew për të lexuar u mësua nga mijëra persona, që vendosën të sjellin libra për të.

Në pak kohë shtëpia e 12 vjeçarit u mbush në libra, aq shumë saqë nuk kishte vend ku të ruheshin. 12 vjeçari vendosi që mbi 2500 libra t’i japë për bamirësi, ashtu siç bënë me të. Kësisoj mijëra libra shkuan tek biblioteka e qytezës dhe tek institucione të ndryshme në vend.