Historia e besimtarit që prej 20 vitesh ushqente kafshët në sheshin e xhamisë

 Historia e besimtarit që prej 20 vitesh ushqente kafshët në sheshin e xhamisë

Prej mëse 20 vitesh, përpara se të shkonte në xhaminë al- Aqsa në Jeruzalem, Ghassan Younis shkonte për të blerë ushqim për macet.

Për 20 vite i ushqeu macet, zogjtë e kafshët që mblidheshin në sheshin përballë xhamisë, duke marrë emrin e ‘Babait të maceve’, një ‘titull’ që lidhej me njërin prej shoqëruesve të profetit Muhamed, dashuria e të cilit për kafshët i dha emrin ‘Abu Hurairah’ (që nga arabishtja përkthehet në babai i maceve).

Fatkeqësisht, jeta e 72 vjeçarit u shua pak ditë më parë për shkak të Covid. Më poshtë sjellim një prononcim të tij për median e huaj, ku ai tregon sesi nisi e gjithë veprimtaria e tij.

“Fillimisht sillja ëmbëlsira dhe ushqim për të moshuarit. Por me ndihmën e Zotit, u jepja po ashtu ëmbëlsira e ushqim të gjithë atyre të rinjve që vinin dhe vizitonin xhaminë al- Aqsa. Siç dhe e patë, më tutje nisa të ushqej macet dhe zogjtë. Përpara se të vij në xhami bëj gati ushqimin për macet, me ndihmën e Zotit.”-do të thoshte ‘Babai i maceve’.

5 herë në javë vinte Younis (Juniz) për të ushqyer kafshët, një gjest që ai e bëri për mëse 20 vite dhe me shpenzimet e xhepit të tij.