Historia e Bukuries, shqiptares që drejton autobusin në një qytet të Italisë

 Historia e Bukuries, shqiptares që drejton autobusin në një qytet të Italisë

“Në një botë ideale, historia e Bukurie Vokës, një 37 vjeçare shqiptare nga qyteti i Kavajës, do të ishte thjesht ajo e një gruaje që ka gjetur vendin e saj në botë si një shofere autobusi. Por ajo që e bëri atë një simbol të emancipimit dhe integritetit femëror, është shamia që ajo mban, një dëshmi e besimit të saj, dhe mbi të gjitha një dëshmi se distancat mes kulturave kapërcehen falë respektit”.

Kështu e nis intervistën me shqiptaren gazeta e njohur italiane Corriere Della Sera, e cila i ka kushtuar një artikull të plotë historisë së Bukuries.

37 vjeçarja jeton e vetme me vajzën e saj dhe kur arriti 13 vite më parë në Itali, punën e parë e bëri në një depo frutash në Gargazzone. Më gusht të 2019, ajo u punësua si shofere autobusi dhe siç thotë për gazetën italiane, ndihet mirë kur ‘ndalon’ për njerëzit.

“Ajo që bëj për mua është shumë më tepër sesa thjesht një punë sepse çdo ditë kam sigurinë të jem e dobishme për njerëzit”-thotë Bukuria.

Corriere e pyet shqiptaren sesi nga një punonjëse në një depo frutash i hyri punës si shofere autobusi. Bukuria tregon se dy kanë qenë arsyet kryesore.

“Ishin dy momente. I pari më ka ndodhur kur punoja në depo. Shpesh punën e mbaronim në orë të vona dhe më ka ndodhur që ta humb autobusin për në shtëpi. Por një ditë, një shofer i autobusit u tregua i sjellshëm me mua. Më pas që po vrapoja të kapja autobusin dhe ndaloi për të më pritur. Ky është një gjest që shumëkush mund ta konsiderojë banal, por unë nuk e harrova kurrë.

Momenti i dytë është njohja me miken time Marian, e cila punon si shofere. Më ka thënë vazhdimisht provoje të bëhesh shofere, derisa…u binda për ta provuar.”-thotë Bukuria.

Pjesë nga intervista:

Si e pritën familjarët tuaj në Shqipërinë lajmin se ishit bërë shofere e linjës së autobusit?

Bukuria: Prindërit mbetën të habitur fillimisht. Por më pas më mbështetën dhe më mirëkuptuan, pasi panë dhe kuptuan se isha e lumtur dhe e qetë.

Ju ka ndodhur të dëgjoni ndonjë batutë me shije të hidhur nga ana e ndonjë kolegu për shkak të shamisë?

Jo. Përkundrazi. Me shumë prej tyre kam raporte miqësore dhe mund të them se janë të lumtur që më kanë kolege pune. Pastaj, të gjitha gratë përtej besimit të tyre fetar, kanë të drejtën të bëjnë atë punë që dëshirojnë për t’u realizuar si njerëz. Në më pyesni mua, unë i admiroj shumë gratë që punojnë si oficere policie.

Po nga pasagjerët, ka patur fjalë?

Jo. Drejtpërdrejt të paktën. Në një rast një person i njohur me tregoi për një dialog mes dy zonjave që udhëtonin në autobusin që drejtoj. Njëra prej tyre i kishte thënë tjetrës se i dukej e çuditshme që unë mbaja shami. Por zonja tjetër i ishte përgjigjur se asaj ‘bravo i qoftë’ që e mbaja shaminë dhe bëja punën që bëj.

Në tërësi pastaj, pasagjerët janë të gjithë të respektueshëm përkarshi meje.


Si mendon se do e shikonin në Shqipëri një grua me shami dhe që drejton autobusin?

Të them të drejtën nuk e di. Mbase mund t’ju duket e çuditshme, por do të thoja se do të trajtohej me respekt, njëlloj siç ndodh dhe këtu.