Historia e burrit që e ka mbushur oborrin e shtëpisë me çadra për të pastrehët

 Historia e burrit që e ka mbushur oborrin e shtëpisë me çadra për të pastrehët

Rreth 5 minuta larg zonës qendrore të qytetit, ky burrë ka vendosur që oborrin e shtëpisë së tij ta kthejë në një ‘qendër’ bamirësie për të pastrehët, teksa i ftohti në rrugë është i papërballueshëm.

Kjo është shtëpia e Darin Mann, në Salt Lake të Utah (SHBA). CNN shkoi ta vizitonte këtë burrë që oborrin e ka mbushur me tenda. Ai lejon të pastrehët që të gjejnë një strehë aty, të përdorin tualetin e tij në banesë si dhe t’u gjejë një punë vullnetare që ai vetë drejton afër një parku në zonë.

“Qëllimi im ka qenë i thjeshtë, të heqim konceptin paragjykues për të pastrehët. Çdo person ka nevojë të trajtohet me dinjitet dhe të ndihmohet kur është në vështirësi.”-i tha Mann televizionit CNN.

Deri më tani në oborrin e tij jetojnë rreth 15 vetë në tenda dhe orvatja e këtij aktivisti nisi në mes të muajit janar të këtij viti.

“Këta persona që jetojnë në këto tenda, po më ndihmojnë mua që të pastrojmë parkun dhe ta bëjmë gati për pranverën. Së bashku po punojmë duke dhënë një shembull për të gjithë”.

Por jo të gjithë fqinjët e Darinit e përqafojnë idenë e tij për të strehuar të pamundurit, raporton CNN. Ke edhe nga ata që kanë dërguan ankesa në polici. Pavarësisht këtyre ‘luhatjeve’, Darini thotë se ka ndërmend ta mbajë hapur oborrin e tij për këdo që ka nevojë. Ai shton se shumë fqinjë i janë bashkuar përpjekjeve të tij, duke gatuar ushqim për të pastrehët ose duke dhuruar veshje për ta.

Të pastrehët janë shprehur mirënjohës dhe thonë se në tenda u duket sikur kanë gjetur shpresë në kalimin e dimrit.

“Nuk kam më pse përballem me stresin se sot ose nesër duhet të lëviz patjetër”-tha një i pamundur, i quajtur Majkëll.

Vetë Darin Mann beson se së bashku me komunitetin mund të bëjnë shumë më shumë për këta njerëz të varfër. Ai i tha CNN, se ka nisur një përpjekje për të mbledhur donacione, në mënyrë që t’i ndërtohen banesa të përhershme të pastrehëve, që sot ngrohtësinë e kanë gjetur në oborrin e shtëpisë së tij.