Historia e Izetit: Këmbët e dija që i humba, por kur pash që nuk kisha duart…

 Historia e Izetit: Këmbët e dija që i humba, por kur pash që nuk kisha duart…

Kjo është historia e një mësuesi muzike. Izet Onuzi quhet dhe me origjinë është nga Kukësi. Veçse, historia e Izetit nuk përshkruhet nga muzika.

Izeti: Profesioni im ka qenë mësues muzike. Kam punuar 5 vite mësues në Kukës dhe në Tiranë erdha që të punoja si mësues muzike, të isha me atë jetën e artit… Por jeta ka sfidat e veta dhe jeta ndryshoi 100%.

26 vite më parë një aksident i rëndë do të shënjonte përgjithmonë jetën e Izetit. Makina ku ai udhëtonte u përplas me trenin e si pasojë ai humbi gjymtyrët. E teksa tregon për ‘shqiptarët për shqiptarët’ ngjarjen, në fytyrën e Izetit nuk gjen dhimbje, por vetëm një kujtim të tij.

Izeti: Një ditë duke udhëtuar me një makinë si pasagjer, sapo dola nga shpia, kemi arritur në shinat e trenit dhe në atë moment jemi përplasur me trenin dhe unë, humba 4 gjymtyrët. Për këmbët e dija, isha i vetëdijshëm por për duart jo. Në momentin qëë në dark më erdhi vetëdija, aty kur kam parë që të dyja duart nuk ishin, të them të drejtën aty e kam humbur… kanë qenë momentet më të vështira të jetës sime, jo nga dhimbja, por nga ana psikologjike e përjetova tmerrshëm. Në ato momnte kam hequr serumin, nuk doja të jetoja më dhe nuk e kam vendosur më, derisa erdhi nëna nga Kukësi.

26 vite pa këmbët dhe duart. Izeti vijon ta rrëfejë historinë e tij për shqiptarët, por krejt papritur, zëri i dridhet. Po kujton momentet dhe fjalët e nënës së tij.

Izeti: Nëna më erdhi nga Kukësi me babën, isha nisur unë me i marr por erdhën ata në spital. Ardhja e nënës, është gjëja më… (përlotet) më tha Izet, vetëm të të shoh gjallë (qan).

Aty, jam menduar dhe shumë shpejt kam pranuar serumin, me të gjitha. Nëna dhe baba janë shumë të shtrenjtë. Me përpjekje e vullnet të fortë, unë, ia dola. I madhi Zot me dha shumë kurajo, forcë e vullnet.

I kujtohet sikur të ishte dje një fëmijë 5 vjeçar që i kishte humbur këmbët dhe qëndronte në të njëjtën dhomë spitali me të. Shumë e ka kërkuar në vite, por s’ka mundur ta gjejë.

Izeti: Kur isha ato ditë në spital ka qenë një fëmijë 5 vjeç. Jam shumë në merak ta shikoj prap sepse ai fëmijë më ka dhënë kurajo. Kishte djegur të dyja këmbët në zjarr e kishte vendosur të dyja protezat e fluturonte në dhomë. Askënd nuk lija në dhomë përveçse atij, mendoja se një ditë dhe unë do të lëvizja si ai.

Që 26 vjet, ai më kujtohet, por nuk po mundem me e gjet… mbase është jashtë shteti. Pas 3 muajsh kam vendosur protezat. Ato janë shumë të mira për ne, por janë shumë të zorshme. Po s’pate kurajo e vullnet, ngelesh.

Sot, pas 26 vitesh, Izeti nuk është dorëzuar. Përkundrazi, historia e tij është shembull e vullnetit të njeriut, shembull i forcës së shpirtit të tij.

Izeti: I kisha vënë qëllim vetes o ska dhe eca…

Jeta ime si mësues nuk do të funksiononte, e dija. Duke menduar, thash do të blej një karrocë kali e të bëj transport. Për familjen time e habitshme, do të thoshin ky ka rrëshqitur. Por jo, jo, unë mendjen e kisha top. E vendosa që të mos e lija veten të trajtohesha si person invalid. Kam filluar me karrocë me kalë dhe më pas mora një triçikël. Transportonim mallra, inerte, çfarë të dilte.

Shumë punë kam patur dhe 15 vite kam punuar. Me atë triçikël kam bërë shtëpinë e ai triçikël për mua ka qenë avion, jo me tre goma.

Jam martuar dhe i madhi zot më ka dërguar një djalë e një vajzë. Jam shumë i kënaqur e i gëzuar, Zoti më ka dhënë më shumë se aq sa kam menduar unë.

Sot kam një qendër sociale protezimi. Shpresa për jetën, që t’u jap sadopak shpresë të gjithë bashkëvuajtësve të mi.

Çdo person që vjen këtu, të marri një shërbim të mirë që me protezën të mos ketë asnjë dhimbje dhe që ai të ndihet sa më mirë, të punojë e të integrohet në jetë.

Në emisionin shqiptarët për shqiptarët, Elvis Naçi tha se fondacioni Firdeus i është gjendur pranë qendrës sociale të Izetit, e cila i kryen falas protezat për të pamundurit. Naçi i bëri thirrje shqiptarëve që të ndihmojnë në kontribute për misionin fisnik që ka marrë përsipër Izeti, pasi të paktën 10 persona kanë nevojë për proteza të reja.

Naçi: Të dalësh nga sikleti i tij, jo vetëm që është rehabilituar e riintegruar, por sot bën proteza për të njëjtët persona që kanë hall si ai. Ne kemi qenë afër tij dhe në ndihmën e tij dhe herë pas here i kthehemi sepse historia e tij të mahnit. Është model për çdo njeri që ka probleme e halle dhe është tepër e çuditshme që sa herë rri me Izetin ai është përherë i buzëqeshur.

Izeti: Unë u futa dhe në shkollë për psikologji, që t’i bëj shërbim psikologjik atyre që vijnë këtu. E bëj me dëshirë dhe vullnet. Protezat janë art më vete që të bëhen.

Përveçse allçisë që e gjejmë këtu, të gjitha materialet e tjera duhen marrë jashtë shtetit. 20 persona ka ndihmuar fondacioni Firdeus deri më tani në këtë qendër, ndërsa riparime pa fund.

Naçi: Izeti tha që janë 10 pacientë që janë në emergjencë, që kanë mundësi që me 10 mijë euro ne mund të shikojmë që t’i integrojmë në jetë 10 shqiptarë që të paktën ata minimumi të ecin si gjithë të tjerët. Nëse do të dërgoni donacione, unë vetë po marr përsipër për të dhënë 200 euro dhe na takon.