Historia e jashtëzakonshme e kosovarit ! Nuk e ka krahun e majtë, por ëndërron të jetë futbollist klasi

 Historia e jashtëzakonshme e kosovarit ! Nuk e ka krahun e majtë, por ëndërron të jetë futbollist klasi

Qëkur lindi, Enis Xhemaili nga Gjilani i Kosovës nuk e kishte gjysmën e krahut të majtë. Shumëkush mund të imagjinonte një jetë të vështirë për të, por kurrsesi atë që bën prej vitesh 14 vjeçari.

Ai është një ndër futbollistët më të mirë të ekipit U-15 të Dritës. Ëndrra e tij? Të bëhet një futbollist profesionist dhe t’i ngjajë idhullit të tij, Leo Messit.

Djaloshi ka dhënë një prononcim në emisionin ‘Shqipëria Live’ duke folur për pasionin e tij për futbollin. Që kur ishte 7 vjeç, thotë Enisi, ka nisur të luajë futboll dhe kurrë nuk është ndalur pavarësisht problemit të tij fizik.

 “Tani jam 14 vjeç, kam 7 vite që ushtrohem me futbollin. Nuk kam asgjë më pak se një moshatar i imi. Ndihem sikur të kem të dyja duart”-tha Enisi.

Enisi thotë se familja e ka mbështetur gjithnjë dhe se në krah ka patur dhe shokët e skuadrës, derisa ai të arrijë ëndrrën e tij dhe të luajë për kombëtaren e Kosovës.

 “Trajneri dhe shokët e mi më plotësojnë krahun tim të majtë që nuk e kam. Kisha pas një mesazh. Me punë mund të arrini çdo gjë. Nuk ka lidhje vetëm talenti, por edhe 100 për qind punë.”-tha 14 vjeçari.

E përveçse futbollit, një tjetër synim i Enisit, është të hapë një fondacion bamirësie për njerëzit në nevojë. 14 vjeçari përveçse talentit ka dhe një zemër të vërtetë shqiptari.