Historia e mjekut që i lau borxhet 200 pacientëve me kancer

 Historia e mjekut që i lau borxhet 200 pacientëve me kancer

Viti 2020 ishte një vit i vështirë për këdo, por edhe më i rëndë për ata njerëz që vuajnë prej kancerit. Një doktor me zemër të madhe, vendosi që t’u bënte një dhuratë të bukur të gjithë pacientëve me tumor, që kishte pritur e kuruar në qendrën e tij spitalore.

Doktori Omar Atik i dërgoi kartolina shumë prej pacientëve me rastin e festave të fundvitit, duke i njoftuar se borxhi që ata kishin kundrejt spitalit ishte shlyer.

Onkologu me origjinë nga Pakistani, hoqi kësisoj në total një borxh prej 650 mijë dollarësh në fatura e shërbime që pacientët e tij i kishin qendrës spitalore.

“Klinika vendosi që të lëshojë të gjitha borxhet që pacientët i kishin qendrës spitalore. Menduam se nuk do të gjenim kohë më të mirë për ta bërë këtë, sesa tani, kohë kur pandemia ka shkatërruar familje, jetët e njerëzve dhe bizneset. Menduam se mund ta bënim dhe kështu vendosëm ta bëjmë këtë punë”- u shpreh doktori për një media në SHBA.

Madje përpara se të merrte këtë vendim, doktor Atik ka pyetur fillimisht zv.Presidentin e shoqatës së mjekëve në Arkansas, David Wroten.

Ky i fundit tha për median se kur e mori telefonatën, doktori i kishte thënë se donte të sigurohej që të mos kishte ‘keqkuptime’ mbi gjestin e tij.

Doktor Omar Atik e themeloi qendrën për kurimin e kancerit në vitin 1991 dhe që prej asaj kohe i ka shërbyer të sëmurëve. Madje ai është doktori i parë me ngjyrë në historinë e Arkansas, që u bë drejtues i Shoqatës Mjekësore në Arkansas.