Historia e ‘njeriut të palosur’… pas 28 vitesh vuajtje, ky burrë qëndron sërish drejt

 Historia e ‘njeriut të palosur’… pas 28 vitesh vuajtje, ky burrë qëndron sërish drejt

Kjo është një ndër ato histori të rralla që të çojnë peshë dhe të kujtojnë një fakt të thjeshtë… jeta është për t’u jetuar, pavarësisht vështirësive.

Kjo foto që shihni këtu është e një njeriut të prekur nga një sëmundje e rrallë, e cila ka agravuar ku më keq nuk ka. Li Hua quhet ky njeri që prej 28 vitesh është përkulur aqsa këmbët e tij e pengojnë tashmë të shkojë më poshtë.

“Fillova të kërkoj ndihmë për djalin kur isha rreth 40 vjeçe. Tani jam 71 dhe askush nuk mundi ta ndihmojë. Në mendje më shkon, po sikur unë të vdes? Kush do të kujdeset për djalin tim? ”-thotë nëna e saj për mediat.

Li u diagnostifikua me ankylosing spondylitis, një sëmundje e rrallë që ia përkuli trupin me kalimin e viteve dhe e solli në këtë gjendje. Ky njeri i vuajtur nuk pati mundësi të merrte kurimet e mjekimet e duhura, pasi familja e tij nuk mund të përballonte faturat e kushtueshme.

Gjendja u përkeqësua aq shumë, saqë kockat e pjesa e sipërme e trupit u ‘palosën’ për t’u bërë thuajse ‘njësh’ me pjesën e poshtme të trupit.

Mjekët kishin përballë një sfidë më vete. Pas analizave të thelluara dhe tre javëve në përpjekje për të bërë një plan mbi operimet, u vendos që e vetmja mënyrë për ta shpëtuar këtë njeri, ishte t’i thyheshin fillimisht kockat, që më pas të rikonstruktoheshin siç duhet. Li Hua përballoi 4 operime të rënda për ta sjellë trupin e tij drejt.

I pari ishte operimi për kockat e këmbëve (osteotomia femorale). Operimi i dytë shkoi në pjesën çervikale, në mënyrë që pas 28 vitesh, ky njeri të mund të mbante kokën larg kofshëve të veta.

Doktori që kreu operimin tha për median se e shoqja është kardiologe dhe se ditët e fundit, biseda kryesore mes tyre, ishte jeta e këtij njeriu.

“Kur flas me time shoqe, më ndihmon paksa për të hequr nga vetja presionin dhe stresin e jashtëzakonshëm”-tha doktori.

Por fjalët më prekëse janë të nënës së Li-së.

“Tani të paktën mund të ëndërroj ta shoh tim bir të gjejë një punë, të mund të martohet e të jetojë jetën e tij”

Faza e tretë e operimit shkoi në shtyllën e tij kurrizore (osteotomi e shtyllës kurrizore). Pas 10 orësh operim, për herë të parë në 28 vite ky njeri mund të qëndronte i shtrirë. Operimi i katërt, më i lehti nga të gjithë, solli dhe përfundimin e ndërhyrjeve në trupin e Li Hua.

Video u shikua nga mëse 111 milionë persona.