Historia e sopranos nga Kosova, që shkoi në spitalet Covid për të ndihmuar pacientët

 Historia e sopranos nga Kosova, që shkoi në spitalet Covid për të ndihmuar pacientët

Media e njohur “Associated Press” i ka kushtuar një artikull një sopranoje nga Kosova, e cila shkoi në vijën e parë të përballjes me Covid për të qenë në krah të atit e më tutje të gjithë të tjerëve në nevojë për asistencë.

“Një gjë e mirë: Në Kosovë, virusi lejon humanizmin të shkëlqejë”- kështu e titullon artikullin “AP” teksa tregon historinë e Arta Jasharit.

Fillimisht ajo ndihmoi të atin, Baki Jasharin. Maestro i Filarmonisë së Kosovës u prek nga Covid në qershor të vitit të kaluar. I prekur nga diabeti dhe sëmundja e zemrës, sopranoja la pas gjithçka për të ndihmuar të atin i cili qëndroi në repartin e pulmonologjisë në Kosovë. Pas daljes nga spitali, sopranoja mori përsipër të kujdesej për të në shtëpi. U prek thellësisht kur shumë miq e fqinj i sollën ushqime apo ndihma. Kjo e bëri që të vendoste të jepte diçka në këmbim.

Kësisoj, sopranoja u vesh nga ‘koka tek këmbët’ dhe vendosi të shkojë në spital për të ndihmuar si vullnetare dhe pa çka se nuk kishte asnjë trajnim mjekësor.

Flamur Marku, një pulmonolog në klinikën e mushkërive, tha për “AP” se në filllim e kishin të vështirë ta besonin se “pse dikush po rrezikonte shëndetin e saj për t’u infektuar me Covid”.

Sopranoja kurrë nuk mori një leje zyrtare për të qenë pjesë e ‘frontit’ të mjekëve e infermierëve, por askush nuk e pengoi që të japë ndihmën.

“Edhe me rroba e mjete mbrojtëse, është gjithmonë e rrezikshme të jesh me një pacient me Covid”-tha mjeku Marku, i cili shtoi se “ishte një gjë e mrekullueshme gjesti i sopranos”.

Arta Jashari shpesh vepronte si ndërlidhëse midis pacientëve që rikuperoheshin në shtëpi dhe stafit mjekësor, që ashtu si në të gjithë botën, ishte i mbingarkuar me pacientë të tjerë të hospitalizuar.

“Unë kurrë nuk kam menduar nëse do të ishte problem për mua nëse infektohem apo jo sepse mendoj se jeta e njerëzve ka më shumë rëndësi sesa  infektimi im. Ajo që është më e rëndësishmja është thjesht të jesh atje… për pacientët që dëshirojnë prezencën tënde, pasi ata kanë nevojë për aq shumë mbështetje emocionale.”-tha Sopranoja 32 vjeçare.

Arta Jashari është diplomuar në universitetin e Prishtinës. Në Berlin e Lubjanë studioi për kanto dhe aktualisht punon në Filarmoninë e Kosovës. E teksa koncertet u bënë fare të pakta prej pandemisë, sopranoja e gjeti veten në spital për të ndihmuar me sa të mundej. Është munduar të shmangë grumbullimin e vëmendjes së medias dhe për “AP” tha se nuk e ka dhënë ndihmën për t’i bërë publicitet vetes.

Nje koncert i mbajtur nga Arta Jashari dhe nena e saj gjate kohes se pandemise

“Mendoj se e gjithë bota po kalon të njëjtën situatë dhe (pandemia) po rijetësohet humanizmi tek njerëzit”-tha 32 vjeçarja.

Për të lexuar të plotë shkrimin në Asssociated Press, klikoni këtu