Historia e vogëlushit që shpëtoi të motrën nga snajperi

 Historia e vogëlushit që shpëtoi të motrën nga snajperi

“Snajperi e qëlloi motrën në kokë… kisha shumë frikë, por motrën e kapa dhe e zvarrita nga rruga”

Këto janë fjalët e Amrit, një 10 vjeçar që jeton në qytetin e Taiz në Jemen, atje ku lufta nuk ka të mbaruar. E motra e tij Rueida, vetëm 6 vjeçe, u qëllua nga një snajper i forcave Huthi (Houthi), të cilët janë akuzuar për të tilla raste disa dhjetëra herë. 450 fëmijë janë vrarë e plagosur në 6 vitet e fundit në këtë shtet.

Xhaxhai i Rueidës tregon për BBC se mbesa e tij shkoi të marrë ujë në një rezervuar aty pranë lagjes kur ngjarja ndodhi. Thotë se Amri u tregua i guximshëm dhe pavarësisht rrezikut se mund të qëllohej, ai arriti të shpëtojë jetën e motrës.

“Kur vajza po vinte me ujin, u qëllua në kokë nga një snajper nga ana lindore e qytetit, atje ku qëndrojnë forcat Huthi. Amri ishte pranë saj kur ajo ra në tokë. Amri u tregua i guximshëm, i fortë. U mundua ta tërheqë të motrën matanë rrugës dhe ia arriti. Më pas Rueida shkoi në spital. Gjendja e saj ishte me të vërtetë e rëndë, por falë Zotit, ajo kreu dy operacione… qëndroi në koma për rreth 5 ditë. Falë Allahut, në një farë mënyre, sot ajo është në gjendje të mirë.”-tha xhaxhai.

Babai i vogëlushes ka folur po ashtu për të bijën. Me lot në sy, thotë se vajza është gjallë, por gjumin nuk e bën të qetë për shkak të dhimbjeve.

“Shëndeti i vajzës po përmirësohet, por gjumë nuk bën sepse i dhemb koka. Vajza është e trembur… sa herë dëgjon një zhurmë apo të shtënë, mendon se po e qëllojnë atë.

Lufta civile në Jemen nisi në vitin 2014 kur forcat Huthi arritën të zmbrapsin nga kryeqyteti qeverinë e njohur ndërkombëtarisht. Një koalicion i drejtuar nga Mbretëria Saudite dhe i mbështetur nga Britania, vijojnë përpjekjet për të ndihmuar qeverinë. Ndërkohë që krahu i Huthi-t mbështetet nga Irani. Forcat Huthi mohojnë akuzat se kanë qëlluar me snajpera në drejtim të fëmijëve.

Artikulli u publikua nga BBC, përshtati me shkurtime ‘Shqiptarëtpërshqiptarët.info’.

Për të parë të plotë artikullin e BBC, klikoni KËTU