Hodhi në det fëmijët autikë për paratë e sigurimit, dënohet me 212 vite burg

 Hodhi në det fëmijët autikë për paratë e sigurimit, dënohet me 212 vite burg

Pasi bleu polica të shtrenjta të sigurimit të jetës për dy djemtë e tij autikë, Ali F. Elmazayen shpenzoi muaj të tërë duke telefonuar kompaninë e sigurimit për të pyetur e interesuar sesa milionë dollarë mund të fitonte nëse do t’i ndodhte ndonjë aksident djemve Madje kishte pyetur edhe nëse do të kishte hetime nga kompania në rast të ndonjë aksidenti.

Në atë kohë, kompania e sigurimit nuk e dinte se çfarë plani të detajuar kishte bërë 45 vjeçari që jetonte në Los Angeles në SHBA.

Burri futi në makinë për një ‘udhëtim’ ish të shoqen dhe dy djemtë autikë, përkatësisht 13 e 8 vjeçarë. E teksa ecte pranë portit (me justifikimin se do blinte në markatë peshk), qëllimisht e drejtoi makinën për të rënë në det. 45 vjeçari doli nga makina përmes dritares dhe notoi drejt tokës. Ish e shoqja nuk dinte not, por u shpëtua nga një peshkatar aty pranë. Ndërkohë dy fëmijët autikë mbetën në makinë. Pavarësisht ardhjes së shpejtë të ndihmës, të dy ndërruan jetë.

45 vjeçari i tha policisë në atë kohë se nuk e dinte sesi kishte dalë nga rruga. Por hetimi i gjatë zbuloi se gjithçka ishte planifikuar për të fituar nga polica e sigurimit të jetës së autikëve.

Ngjarja e rëndë ndodhi në vitin 2015 dhe pas 3 vitesh, prokuroria arriti te mbledhe prova te mjaftueshme për ta akuzuar në 2018 për vrasjen e fëmijëve të tij.

Këtë mars të 2021, gjykata ka dhënë verdiktin final për 45 vjeçarin. Me një seri akuzash, ai u dënua me 212 vite burgim.

“Ai është një vrasës e mashtrues i zoti… asgjë më shumë sesa një lakmitar e vrasës brutal”-tha gjyqtari që bëri të ditur vendimin për ta dënuar.

Djali tjetër i 45 vjeçarit ishte në gjykatë në momentin e dhënies së verdiktit dhe i tha të atit se nuk donte ta shihte me sy.

“Mos më merr në telefon, mos më shkruaj asnjë letër”-tha 20 vjeçari sipas raportimit të Los Angeles Times.