Hyri me semafor të kuq, policët i thyejnë brinjët emigrantit kosovar

 Hyri me semafor të kuq, policët i thyejnë brinjët emigrantit kosovar

Gjithçka filloi me një gabim të Bardhyl Bakijës, një qytetari që jeton në Holandë. Bardhyli hyn më të kuqe në semafor në orët e vona të natës, duke parë se rruga është e pashqetësuar nga qarkullimi i mjeteve të tjera.

Por disa oficerë të policisë në Gjakovë e shohin shkeljen e rregullave të qarkullimit dhe i vihen pas për ta ndaluar 60 vjeçarin. Ai vetë thotë për median në Kosovë se ndaloi rreth 300 metra larg semaforit kur pa se po ndiqej nga policia.

Në këtë moment sipas 60 vjeçarit i kanë dalë përpara rreth 7 oficerë policie. Ai i ka kërkuar falje për gabimin, por thotë se ka marrë si përgjigje një grusht që e ha hedhur në tokë. Më pas është rrahur nga oficerët e policisë. Burri ka shkuar në spital, pasi i janë thyer 2 brinjë.

“Kam dalë nga makina dhe i kam parë shtatë policë që si bisha më janë sulur. Kam ngritur duart dhe kam bërtit: “Më falni gabova. Jam njeri i sëmurë”. Më ka ardhur një goditje e fortë në kokë dhe kam rënë në tokë me gjysmë vetëdije. Nga ai moment ka filluar një rrahje ndaj meje që vetëm serbët e kanë bërë ashtu”, deklaroi Bardhyl Bakia për median në Kosovë.

Ndërkohë të gjithë efektivët e policisë që ishin në vendngjarje janë pezulluar nga detyra, derisa hetimi i nisur tashmë të përfundojë.  Prokuroria në Gjakovë ka kërkuar nga ana e saj një masë paraburgimi për tre nga 7 oficerët e policisë.