“I hap sytë me frikë, mos tavani m’i ka zënë poshtë fëmijët”

 “I hap sytë me frikë, mos tavani m’i ka zënë poshtë fëmijët”

Të hapësh sytë çdo ditë nga gjumi dhe të të përfshijë frika, një tmerr që e mban prej 6 vitesh në zemër… a janë gjallë fëmijët e tu?

Kjo është situata me të cilën përballe kjo nënë shqiptare, e cila jeton së bashku me të shoqin dhe dy fëmijët e mitur në një banesë plotësisht të shkatërruar dhe gati për t’u rrënuar.

Emisioni ‘shqiptarët për shqiptarët’ përcolli historinë e rëndë të familjes Keçi në Divjakë. Të katërt jetojnë prej 6 vitesh në një banesë të braktisur nga pronari, me frikën konstante se një ditë muret dhe tavani nuk do të mbajnë dhe do t’i marrin jetën në mënyrën më të dhimbshme.

Nëna, Moza, tregon se ka jetuar me vështirësi të jashtëzakonshme dhe për shkak të gjëndjes ekonomike është detyruar që të gjejë strehë në këtë banesë të shkatërruar. E strukur në lotë, ajo thotë se ka jetuar dhe 5 muaj në qiell të hapur për shkak se nuk kishin ku të shkonin.

Moza: Jam martuar në 2002, pas martesës linda dy fëmijë. Jetojmë në banesë me qira dhe punojmë me argatllëk. Qiraxhiu na tha që e donte shtëpinë e lirë dhe kemi dalë në qiell të hapur. 5 muaj kemi jetuar në qiell të hapur.

Këtë banesë, kjo shtëpi e shkatërruar ku jetojmë, e kemi të zaptuar. Pronari ka ikur në Greqi dhe ne kemi ardhur këtu. Në këtë shtëpi i lamë 5 vjet, kemi hyrë për 6. Këtu është tmerr, shumë ftohtë. Me fshesë kemi ndenjtur burrë e grua roje sepse kishim frikë mos na binte tavani në kokë. Kur ishte ngricë dilnim në diell sepse nuk kishim ku të shkonim.

Kur të merr me vete fukarallëku nuk ke se çfarë bën. Këtu as punë nuk ka, nuk punojmë dot. Më e tmerrshmja ishte kur na goditën stuhitë. I vetmi vend ku nuk binte shi brenda banesës ishte këtu në pragun e kësaj dere.

Frika më e madhe që kam është se mos më zë brenda fëmijët kjo shtëpi. Kurrë se kisha menduar jetën time në këtë gjëndje, kurrë. Gjithmonë e vrarë në këtë jetë, më besoni, zemra po më pushon.

Vajza e Mozës, Izabela 11 vjeçare është më e mira e klasës. Ajo tregon se jeton në një banesë ku nuk ka drita dhe si dëshirë ka të qëndrojë në një dhomë ku mund të bëjë lirisht detyrat. Një dëshirë tjetër ka, të shohë televizor, pasi në shtëpinë e shkatërruar ku jeton, ekrani është një realitet jashtë mase i largët.

Izabela: Quhem Izabela, jam 11 vjeçe, në klasën e pestë. Me mësimet jam mirë. Kam qenë e para por tani nuk jam më. Nuk kam asnjë kusht sepse kur bie shi nuk i bëj dot detyrat. Këtu nuk ka asgjë, as derë as dritare. Drita nuk ka. Në darkë rrimë shtrirë, nuk kemi se çfarë të bëjmë. Unë do doja shumë të kisha një shtëpi, të shihja dhe pak televizor pas detyrave.

Elvis Naçi e Sidrit Bejleri e vizituan banesën dhe familjen Keçi. Menjëherë me të hyrë në shtëpi u përballën me një dhomë të vogël, në krye të së cilës ndodhej një gropë që qarkonte të gjithë hapësirën. Elvis Naçi shprehur habi sesi ende kjo gërmadhë nuk është rrëzuar dhe i kërkoi familjes që menjëherë të bëheshin gati, pasi do të largoheshin nga shtëpia.

Naçi: Bëhuni gati se do ikim. Bëhuni gati sepse do ecim, do shkojmë në një vend më të mirë.

Familja Keçi arrin në destinacion dhe me të ngjitur shkallët e një pallati, të gjithë ndalojnë. Sidrit Bejleri nxjerr nga xhepi një dhuratë për Izabelën. Me të hapur pakon, Izabelës i buzëqesh fytyra, por zëri i meket, nuk tregon dot se çfarë është surpriza. Pas pak instantesh, 11 vjeçarja thotë: një çelës.

E gjithë familja më në fund hyn në banesën e saj të re, një dhuratë që e përcjell emisioni shqiptarët për shqiptarët, por që në fakt ka ardhur nga mijëra kilometra larg.

Kryefamiljari, Ymeri: Kam mbetur i shokuar pa fjalë… kanë mbetur pa fjalë dhe fëmijët e mi, sepse brenda tyre fshihet zemra e mijërave, por kemi mbetur pa fjalë.

Sidrit Bejleri: Do kishim ik prej asaj shtëpie, do kishim ikur me të fiksume në sy atë vrimën e madhe në mur. Iu gjetëm em lot në sy dhe besoj tani do ikim nga shtëpia juaj e re me buzëqeshjen tuaj.

Por kush e dhuroi këtë banesë për familjen Keçi?

Në studion e emisionit shqiptarët për shqiptarët shfaqet një zonjë, e cila flet në emër të mërgimtarëve shqiptarë në Michigan të SHBA-ve. Joli Paparisto shprehet se me kontributet e dhjetëra shqiptarëve, e për më tepër shumë artistëve që jetojnë në Michigan, u bë e mundur blerja e banesës për familjen Keçi. Joli shprehet se e pati shumë të vështirë t’ja tregojë të tjerëve shqiptarëve historinë e familjes nga Divjaka, për shkak se u prek thellësisht nga jetesa e rëndë që bënte familja.

Joli Paparisto: Ishte shumë tristuese kur pashë ato video. Nuk arrita dot ta shikoja të plotë historinë e asaj familje, mu desh kohë. Historinë ia përcolla shoqatës sonë në Michigan dhe se patjetër duhej ta ndihmonin atë familje.  Kemi punuar të gjithë këtu si shqiptarë që Izabela të jetë e lumtur dhe që nëna e saj të mos e mbajë më kokën ulur. Ky është fillimi për ne, diaspora e Michiganit do të jetë krah jush për të ndihmuar shqiptarët. Do jemi pranë jush.