“I lutem Zotit të mos më marrë djalin” Thirrja e një nëne për 5 vjeçarin e prekur nga tumori

 “I lutem Zotit të mos më marrë djalin” Thirrja e një nëne për 5 vjeçarin e prekur nga tumori

Çdo ditë me kokën lart për të kërkuar forcë nga i Plotfuqishmi… fundja a ka mënyrë tjetër për të përballuar të keqen që i ka rënë të birit 5 vjeçar?!

Lot çdo orë që kalon, për të larë veten nga vuajtjet. Ditët kalojnë dhe djali i saj rrezikon të shuhet.

Dhimbje çdo minutë kur sheh të birin të qajë, të përdridhet nga lëndimi.

Prej 6 muajsh kjo është jeta e një nëne që jeton në fshatin Suk të Roskovecit. Xhenisa i tregoi emisionit ‘Shqiptarët për Shqiptarët’se djali i saj Xheviti, veçse 5 vjeç, u diagnostifikua me tumor cerebral gjysëm viti më parë.

Nëna: Kam djalin 5 vjeç. Para 6 muajsh është diagnostifikuar me tumor cerebral. Është fëmija im i parë, me tumor… fëmija i vetëm që kam. E kemi pritur me shumë gëzim, deri në momentin kur ai pati (qan) dhimbje koke… nuk mund të ngrihej dot. Qante vazhdimisht

Babai: Kur më thanë doktorët… U ndjeva I shokuar, i mërzitur jashtë mase, u shokuam të gjithë.

Xhenisa ende nuk e kupton sesi e mban toka, sesi arrin të marrë frymë përballë kësaj sprove kaq të madhe.

Nëna: Më ra gjithë qielli mbi kokë, nuk kishte gjë më të keqe. Ka qenë një situatë që nuk e di sesi e kam përballuar. Nuk e di në do ta përballoj dot akoma. Gjendja e tij është shumë keq, sa vjen e përkeqësohet. Nuk mund të durojë dot më shumë gjatë. Ka bërë dy ndërhyrje por është shumë në rrezik… këtu nuk mund të bëhet dot më asgjë. Ka nevojë për një ndërhyrje jashtë shtetit sepse pjesa e tumorit është shumë e madhe, rrezikon të humbasë shikimin, këmbët, duart… jetën.

Ajo i tregoi emisionit ‘Shqiptarët për Shqiptarët’ se i nevojitet një sasi e konsiderueshme parash për të tentuar shpëtimin e jetës së Xhevitit. Mundësitë financiare të kësaj familje janë të pakta.

Nëna: I lutem Zotit çdo ditë që të mos ma marrë djalin. Nuk ka gjë më të keqe që të shoghësh fëmijën duke vuajtur e ti nuk bën dot asgjë. Do jepja shpirtin, jetën time që ai të jetojë, të mos t’I pritet jeta në mes.

Mundësitë që ka dhënë spitali janë minimale që ai të shpëtojë. Unë dua të shkoj deri në fund, t’ja bëj të gjitha, të mos i ngelet asgjë (qan) ta provoj mundësinë e fundit, ta çoj në Turqi e ta operoj dhe të mos më thahen krahët, të mos më vdesë këtu fëmija.

Babai: Ne shpresojmë shumë.. nuk dua që ta humb djalin (qan). Frika është e madhe. Çdo ditë fëmija është i rënduar.

Nëna: Ju lutem të gjithë shqiptarëve dhe emisionit ‘Shqiptarët për Shqiptarët’ në na ndihmojnë. Të shpëtojmë djalin. Jeni shpresa ime e vetme.