I moshuari shqiptar grabitet sapo del nga spitali në Itali, si arriti të kthehej drejt Shqipërisë

 I moshuari shqiptar grabitet sapo del nga spitali në Itali, si arriti të kthehej drejt Shqipërisë

Tri vite qëndroi në një spital në Italinë veriore. Gjatë kësaj periudhe tre operacione bëri. Tashmë koha kishte ardhur për të dalë nga spitali e për t’u kthyer drejt Shqipërisë. I moshuari shqiptar niset drejt stacionit të trenave në Milano, por aty dy djem të rinj (shqiptarë), e afrojnë dhe e grabisin. I marrin rreth 300 euro dhe dokumentat që i duheshin për të shkuar në Bari e më tutje në Itali.

I pashpresë dhe i mbetur vetëm në stacionin e trenit, të moshuarit i afrohet një oficer policie (karabinier). I riu i flet italisht, por i moshuari nuk kupton. Për fatin e këtij të fundit, oficeri që kishte përballë dinte shqip. I lindur e rritur në Itali, por ai ishte shqiptar. Karabinieri i thotë se do ta ndihmojë duke i blerë ai biletën e trenit, pasi i moshuari me krahun e këmbën të sëmurë, i tregon të gjithë ngjarjen. Ashtu ndodh. Karabinieri i blen dhe disa ushqime të moshuarit për në rrugën nga Bari drejt Shqipërisë.

Me të mbërritur në Bari, i moshuari pritet nga një oficer i Guardia di Finanza, i cili kontakton me kolegun e tij në policinë shqiptare. Me pak solidaritet, i moshuari pajiset me një dokument që do ta lejojë të kthehet në Shqipëri.

Kjo është një histori reale e ndodhur në Itali, e treguar nga Artur Beu, zyrtar i Interpol në Tiranë.

“Përse e shkrova këtë mund të thotë dikush?

Po ja, se mendoj se së pari e keqja nuk triumfon asnjëherë. Se në jetë paratë kanë vlerë monetare, por njerëzit kanë vlerë më të madhe. Se jam i sigurt që ata që grabisin njerëz të sëmurë e në moshë do e gjejnë me siguri rrugën e tyre drejt errësirës dhe se sot është festa e policisë dhe ky është një rast me policë të mirë. Se nuk është as rasti i parë dhe as do jetë i fundit, dhe mendoj se njerëzit duhet të jenë të bindur se nuk janë kurrë vetëm në një vend të huaj.”-thotë Beu pasi tregon këtë histori frymëzuese.