I paralizuar përjetë! Rrëfimi i një njeriu që ndihmon të tjerët të mos “harrojnë” jetën

 I paralizuar përjetë! Rrëfimi i një njeriu që ndihmon të tjerët të mos “harrojnë” jetën

Në janar të vitit 2012, teksa po dilte nga shtëpia u përfshi në një konflikt me një të panjohur. Burri e qëlloi me armë dy herë në trup. Ra në tokë dhe mendoi se ky ishte fundi.

“Rashë në tokë dhe mendova se po ikja nga kjo botë duke patur një sërë pengjesh… në atë moment e kuptova se nuk e kisha jetuar jetën time”-tha Wesley Hamilton.

Foto e shkeputur nga kronika e CNN

24 vjeç ishte. Por plumbave arriti t’i mbijetojë. Pas muajsh në spital, nga atje doli me një karrige me rrota. Ishte paralizuar nga mesi e poshtë.

“U ndjeva i pashpresë, i mundur”

Pas një viti, një sëmundje e preku për shkak të qëndrimit të tij ulur gjatë shumicës së kohës. Iu deshën 6 operime dhe qëndrimi për dy vitet e ardhshme shtrirë në krevat. Gjendja e tij mendore e fizike u përkeqësua ndjeshëm. Shtoi në peshë dhe në mendjen e tij qarkullonte ideja për t’i dhënë fund jetës.

E vetmja që i dha shpresë dhe kuptim jetës së tij, ishte e bija. Wesley tregon për CNN se dashuria për të bijën e shtyu përpara.

Foto e shkeputur nga kronika e CNN

“E binda veten se duhej të bëhesha një person më i mirë, mbi të gjitha një baba më i mirë. Dashuria për time bijë është aq e madhe saqë ajo kurrë nuk do ta dijë dhe qe kjo dashuri që më inspiroi të marr nën kontroll jetën time”

Foto e shkeputur nga kronika e CNN

Kësisoj, Hamilton vendosi t’i hyjë një shkolle profesionale për t’u bërë nutricionist. Arriti që brenda vitit të bëhej një atlet, pavarësisht aftësive të kufizuara. Dhe në vitin 2017, arriti të hapë një organizatë për të ndihmuar të tjerët si ai.

Foto e shkeputur nga kronika e CNN

Hamilton krijoi një program 8 javor për të ndihmuar fizikisht njerëzit e paralizuar, një program ushqimi për ta dhe dy herë në javë programe për të folur mbi incidentet që i kishin sjellë ata në një karrige me rrota. Me ardhjen e pandemisë e mbylljen e takimeve, Hamilton nuk hoqi dorë dhe u shkonte në shtëpi njerëzve duke u dhënë seminare private.

“Njerëzit meritojnë të dinë se ata, janë më shumë sesa kushtet në të cilat ndodhen. Qëllimi im është i thjeshtë, t’i inspiroj ata dhe t’i tregoj sesi duket lumturia pavarësisht vështirësive që ata/ato kalojnë përditë”-tha për CNN Hamilton.