“I thashë jam nga Kosova, nisi të qajë” Vëllezërit i dalin në ndihmë gjermanëve të prekur nga përmbytjet

 “I thashë jam nga Kosova, nisi të qajë” Vëllezërit i dalin në ndihmë gjermanëve të prekur nga përmbytjet

Të paktën 150 persona humbën jetën në Gjermaninë perëndimore si pasojë e përmbytjeve, teksa tashmë kanë filluar përpjekjet për t’u ardhur në ndihmë atyre mijërave që mbetën pa asgjë.

Mes atyre që ndihmojnë janë dhe shqiptarët.

Media në Kosovë ka përcjellë këtë të hënë rrëfimin e njërit prej atyre shqiptarëve, që shkoi për të ndihmuar banorët. Ky është Lulzimi, shqiptar i Kosovës e banues në Këln. Ai udhëtoi nga drejt Bad Neuenahr me të vëllanë Gëzimin, për të ndihmuar njerëzit atje me pastrimin e banesave dhe lokaleve.

“Ne shkuam në mëngjes (dje e dielë) dhe pritëm gjatë në kolona për të hyrë në qytet”, tha Hajdaraj, në një intervistë për Klan Kosova.

“Në katet e para, podrumet ishin të prishura, kishte shumë baltë. Ne iu ndihmuam t’i hedhim jashtë të tëra. Ishte trishtim të shohësh ashtu një qytet të tërë të shkatërruar”, shtoi ai.

Ndër të tjera, shqiptari tregoi se disa banorë e pyetën se nga vinin.

“Ata u gëzuan që ne nuk e kishim harruar ndihmën e tyre që ata e kanë bërë në kohën e luftës dhe atë që shteti gjerman bën edhe sot. Një banor tjetër që e takuam na pyeti nga jeni, dhe ne i treguam që vijmë nga Kosova dhe kemi ardh t’iu dalim në ndihmë për këtë katastrofën që ka ndodhur. Ai filloi të qajë dhe tha disa herë ‘faleminderit nga ju që po na bashkoheni në këto momente të vështira”.-tha Lulzimi.