I vetëm punoi për mëse 35 vite… historia e njeriut që krijoi një pyll të tërë me duart e tij

 I vetëm punoi për mëse 35 vite… historia e njeriut që krijoi një pyll të tërë me duart e tij

Në vitin 1979 ishte 16 vjeçar. Të gjithë jetën e tij e kaloi në veri të Indisë, në një zonë të quajtur Xhorhat. Në këtë tokë rrjedh një prej lumenjve më të mëdhenj të Indisë, lumi Bramaputra.

Çdo vit për shkak të përmbytjeve, lumi mbulon me ujë sipërfaqe të mëdha të tokës. Ky është një vend ku jetojnë miliona banorë dhe çdo vit atje humbasin tokë bujqësore, shtëpi e shumëçka tjetër qindra e mijëra indianë. E një ndër zonat më të prekura nga këto përmbytje është ishulli i Maxhuli, në fakt ishulli më i madh në botë që përshkruhet nga lumenjtë.

Pikërisht këtu, në vitin 1979, një 16 vjeçar nis të mbjellë fidanë e pemë. Dhe ky njeri quhet Jadav Payeng (Xhadav Pajeng). Gjithçka nisi kur ai pa dhjetëra kafshë të ngordhura atje për shkak të thatësirës që lanë pas përmbytjet e tokave.

“Pashë qindra gjarpërinj e kafshë të tjera që kishin dalë në sipërfaqe të ngordhura, fill pas tërheqjes së ujit që përmbyste tokat. Ishin të shtrira aty në rërë. Pyeta disa burra në moshë në fshatin aty afër. I thashë çfarë mund të bëja dhe ata më sugjeruan të mblillja pemë bambuje, pasi ato i durojnë kushtet e vështira klimaterike. Më dhanë 25 fidanë dhe disa fara të tjera pemësh.”-kujton 61 vjeçari.

Dhe që nga ajo kohë, kur ishte vetëm 16 vjeç e deri më sot, ky njeri ka mbjellë pemë. Për mëse 35 vite. E teksa vitet iknin, në zonën e shkretuar nga përmbytjet u krijua një pyll me bimësi e pemë të larta nga të gjitha llojet.

Xhadav përherë ka punuar vetëm. Vetëm me ndihmën e duarve dhe një vegle të thjeshtë, ky njeri mbolli pemë. Nuk ndaloi.

Xhadav Pajeng jeton sot e kësaj dite në një shtëpi fare modeste me familjen e tij dhe vijon të udhëtojë çdo ditë drejt pyllit që e krijoi me duart e veta. Ecën 20 minuta në këmbë dhe më pas merr një varkë. Pasi kalon në anën tjetër, udhëton për 2 orë të tjera në këmbë dhe vijon të mbjellë pemë në zonat e mbetura të shkreta.

E gjithë zona atje, u shndërrua krejtësisht. Një pyll gjigand, krijuar nga një palë duar. Sot pylli i Xhadav Pajeng është rreth 550 hektarë, ose thënë ndryshe një sipërfaqe shumë më e madhe sesa i famshmi “Central Park” në New York të SHBA-ve. E në të jetojnë dhe kafshë të rralla. Elefantë, rinocerontë, tigra e plot të tjerë.

Për historinë e tij ka patur dhjetëra dokumentarë e kronika. Më poshtë gjeni njërin prej tyre, rrëfyer nga i pari person që e përcolli në gazetat e kohës punën e tij të palodhur.

“Në fillim kur nisa të mbjell fidanët, ishte një punë shumë e vështirë për shkak të terrenit. Por tashmë puna ime është e thjeshtë sepse farat e rrënjët, gjithçka më duhet, i gjej tek vetë pylli”-thotë në dokumentar fermeri.

.