“Im shoq humbi jetën në punë… pas 13 vitesh po kërkoj ende të vihet drejtësi”

 “Im shoq humbi jetën në punë… pas 13 vitesh po kërkoj ende të vihet drejtësi”

Ishte nëntori i vitit 2008, kur Riza Strazimiri, 25 vjeçar, do të humbiste jetën në vendin e punës në Livorno të Italisë. Ai ishte i martuar me Dorina Danushin, 25 vjeçe dhe në atë kohë shtatzënë.

Dhimbja për humbjen e të shoqit, bëri që ajo të humbte fëmijën… edhe pse kanë kaluar 13 vite, ajo ende po pret që drejtësia të vihet në vend, sepse shpesh herë është guri i drejtësisë ai që vë në qetësi tokën e turbulluar.

Më 14 nëntor të 2008, Rizai po punonte në një kantier ndërtimi. Punët duhej të kryheshin me shpejtësi atë ditë dhe disa prej karpentierëve, njëlloj si Rizai, nisën të punonin për mbylljen e një kapanoni me panele metalike. Panelet ishin të rënda dhe puna kishte rrezik të lartë. Teksa po punonte në këto kushte, Rizai rrëzohet. Bie nga një lartësi prej 11 metrash. Gjendja e tij shëndetësore ishte e rëndë. Pak minuta pas aksidentit dhe mbërritjes së ambulancës, i riu ndërron jetë.

Ky incident ishte vetëm pikënisja e rrugëtimit nëpër gjyqe. Në vitin 2015, gjykata vendosi për dënimin e 4 personave, të gjetur përgjegjës për kushtet e sigurisë në punë. Të gjithë u dënuan me nga 1 apo 2 vite, ndërsa lufta në dyert e gjykatave vazhdoi për të venë e viktimës. Gjykata vendosi për një shpërblim për familjen e shqiptarit, një shifër prej 100 mijë eurosh.

13 vite kanë kaluar dhe e veja e Rizait nuk mori asnjë qindarkë.

“Humba tim shoq dhe djalin, por për paratë gjenden miliona justifikime nga kompania që duhej të paguante. Të gjithë janë të mirë për të bërë diskutime për sigurinë në punë, por kur vjen fjala për të mbajtur përgjegjësi… Kam pritur shumë që të vijoj të hesht”-tha për median e veja.