Infektimet me Covid në Shqipëri po shtohen, çfarë thonë ekspertët për vjeshtën

 Infektimet me Covid në Shqipëri po shtohen, çfarë thonë ekspertët për vjeshtën

Përgjatë ditëve të fundit në territorin e Shqipërisë, numri i personave të prekur nga Covid ka pësuar rritje.

Këtë të mërkurë Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në 24 orët e fundit, janë kryer 2516 testime, mes të cilave 23 persona kanë dalë pozitivë. Infektimet kanë pësuar rritje në gjysmën e dytë të këtij muaji, ndërkohë që më parë të prekurit nga virusi nuk i kalonin numrat njëshifrorë.

Për rritjen e rasteve me Covid, ekspertja e ISHP-së, Rovena Daja, thotë se shumica e të prekurve i përkasin grupmoshës së të rinjve (20-44 vjeç).

“Janë të pavaksinuar, janë të painfektuar më herët. Ndaj ne kemi ditët e hapura dhe apelojmë për vaksinë”.-thotë epidemiologia në intervistë për median.

Ajo nuk e përjashton faktin se numrat e lartë të ditëve të fundit mund të vijnë si pasojë e pranisë së variantit Delta.

“Përderisa në Kosovë, Greqi, Maqedoni ka raste, edhe në Shqipëri ne besojmë se mund të ketë hyrë por realisht akoma nuk kemi një dokument zyrtar. Por fakti që kanë filluar të rriten (rastet) dhe fakti që si virus paraqitet në një formë të lehtë, në spital kemi pak të shtruar, tregon që mund të ketë ardhur por paraqitet me forma të lehta”.

“Ne presim një valë por jo me intensitetin e muajit Shkurt me mbi 1 mijë persona në ditë për faktin e thjeshtë se në Shqipëri kemi shumë persona që janë infektuar dhe kanë krijuar imunitet. Vaksinimi vazhdon dhe këto faktorë do bien që të mos kemi të njëjtën valë si në Shkurt”.- përfundoi Daja.

Numri i infektimeve ditore duket në rritje, të paktën  javën e fundit, përkatësisht me:

20 korrik- 43 raste

19 korrik- 11 raste

18 korrik- 21 raste

17 korrik- 18 raste

16 korrik- 18 raste

15 korrik- 13 raste

Aktualisht në të gjithë territorin e vendit janë 210 pacientë aktivë me Covid-19, ndërsa në spitalin infektiv janë të hospitalizuar 5 pacientë. Fatmirësisht nuk ka patur persona që kanë ndërruar jetë.