Italia shpallet kampione e Europës

 Italia shpallet kampione e Europës

Përgjatë gjithë ndeshjes në stadiumin e Wembleyt dëgjoheshin koret “England” dhe ‘It’s coming home”, por në fakt ndodhi ndryshe. Italia erdhi në Londër dhe i mori titullin Anglisë në një finale të jashtëzakonshme.

Mbi 2 orë ndeshje. Një finale që u vendos nga pika e bardhë e penalltive. Guardiani i Anglisë bëri gjithçka për të ruajtur portën, por ishte Donnarumma ai që i dha fitoren Italisë me pritjet e tij.

Italia shpallet kampione e Europës. Trofeu ikën nga Lodra dhe do të ‘prehet’ në Romë.

90 minutat e ndeshjes

Një ndeshje me spektakël e tension, ndërsa skuadrat janë ruajtur maksimalisht për të mos pësuar gola.

Finalja nisi me një gol rrufe. Vetëm 1 minutë e 57 sekonda mjaftuan që mbrojtësi i Anglisë Shaw, të shënonte golin më të shpejtë në një finale të Europianit.

Anglia luajti një pjesë të parë dinjtoze, duke krijuar raste e duke presionuar portën e azurrëve. 45 minutat e para përfunduan mes një Anglie me gjallëri dhe një Italie që nuk po gjente dot ritmin e lojës.

Por pjesa e dytë solli një panoramë krejt të kundërt. Italia nis të sulmojë e presionojë Anglinë, lojtarët e të cilëve vendosen në mbrojtje. Një pjesë e madhe e pjesës së dytë shkoi mes pasave të azurrëve, ndërsa luanët qëndronin të gjithë prapa gjysmës së tyre të fushës.

Italia nis të sulmojë portën. Isnigne e Chiesa rrezikojnë portën e Anglisë por pa rezultat. Do të ishte minuta e  67-të ajo që do të sillte barazimin. Një goditje me kokë e italianëve pritet nga Jordan Pickford, por prapa vijës mbrojtëse vjen Bonnuci, i cili shtyn topin në portë.

Stadiumi shpërthen në ovacionet e tifozëve azurrë, të cilët pavarësisht numrave të vegjël në krahasim me britanikët, oshëtijnë në gëzim.

Me golin e Italisë, u duk sikur Anglia mori një goditje që e tulati. Ekipi vijoi të qëndrojë në mbrojtje ndërsa italianët dominuan ndeshjen përmes pasave.

Pavarësisht mbajtjes së topin 63% me 37%, në favor të Italisë, ndeshja përfundoi në barazim.

Tifozi në fushë i “”pakapshëm” nga rojet e sigurisë

Një tifoz hyn në fushë në fund të pjesës së dytë. Rojet në vështirësi serioze për ta kapur të riun.

Shtesat

Pjesa e parë e shtesës ka qenë sërish në favor të azurëve, por rezultati nuk ka lëvizur. Pjesa e dytë e shtesave çoi pranë golit Italinë. Bernardeschi godet por gardiani i Anglisë arrin të presë topin. Pas mëse 2 orësh lojë, Pickford ka shpëtuar për të disatën herë Anglinë.

Minutat e mbetura i gjejnë të dyja skuadrat duke ruajtur tempin, por pa tentuar të rrezikojnë me sulme. Edhe shtesa mbyllet në barazim 1-1 dhe skuadrat bëhen gati për të vendosur fituesin nga 11 metërshat.

Penalltitë

Të parë që gjuajnë janë azurrët. Berardi gjuan në mënyrë perfekte, ndërsa Pickford hidhet në krahun tjetër.

Për Anglinë i pari që gjuan është kapiteni Harry Kane. Donaruma gjen krahun, por jo topin.

Beloti godet fort majtas por Pickford arrin të presë topin. Italia gabon e para

Maguire mendohet disa sekonda para se të godasë. Shënon një supergoditje në trekëndësh. Anglia një gol përpara

Bonnuci godet penalltinë e tretë për Italianët dhe nuk gabon

Rashford godet shtyllën. Një gabim që i kushton Anglisë. 2 me 2 me golat

Bernardeschi qëllon me të majtën e tij. Topi në rrjetë

Sancho shkon të godasë. Një pritje spektakolare nga Donaruma. 3 me 2 për Italinë

Gorginjo për Italinë. Tenton të godasë me klas por Pickford shpëton i ndihmuar dhe nga shtylla. Anglia sërish në lojë

Saka, 19 vjeçari i Anglisë. Donaruma pret sërish dhe Italia shpallet kampione