“Jam 14 vjeç, zemra po më dhemb” Dy mesazhet prekëse që lexuan në emision Elvisi e Sidriti

 “Jam 14 vjeç, zemra po më dhemb” Dy mesazhet prekëse që lexuan në emision Elvisi e Sidriti

Mbrëmjen e djeshme në emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët” sollëm momente gëzimi për familjen me jetimë nga Fieri dhe shpresë për jetën e Xhevitit, vogëlushit 5 vjeçar të prekur nga sëmundja e rëndë në kokë.

Emisioni po ashtu  solli dhe thirrje e rrëfime të tjera nga shqiptarë të sëmurë, që kanë nevojë për ndihmë. Mes dhjetëra mesazheve që Elvis Naçi e Sidrit Bejleri lexuan gjatë emisionit, dy prej tyre, treguan më së miri se kush janë shqiptarët.

Elvisi lexoi mesazhin e një 14 vjeçari që me të parë thirrjet për ndihmë të dy fëmijëve me skoliozë, kishte vendosur të jepte disa nga paratë që kishte kursyer për të bërë kursin e patentës.

Elvisi: Jam Argjendi, jetoj në Gjermani. I kam 14 vjeç dhe kam paret për lejen e kerrit (makinës), por unë e ndjek emisionin tuaj dhe kam dëshirë t’i jap 100 euro se zemra po më dhemb.

Ndërsa Sidriti, lexoi mesazhin e një 84 vjeçareje, që kishte hequr një sasi parash nga pensioni i saj për të bërë bamirësi.

Sidriti: Përshëndetje, nëna ime Hatmane Buqani, 84 vjeçare nga Dollova e Klinës (Kosovë), i dhuron 50 euro nga pensioni i saj për shpirtin e vëllait, për vajzën me skoliozë, Ketjanën. Zoti ju ruajtë.

Këto dy raste, ashtu si dhjetëra të tjera që u lexuan gjatë emisionit ‘Shqiptarët për Shqiptarët’, janë shembuj të thjeshtë, që tregojnë zemërgjerësinë e shqiptarëve.