Jeta e trishtë e jetimit nga Mamurrasi, jeton në një ‘kuti metalike’ dhe po humb njërin sy

 Jeta e trishtë e jetimit nga Mamurrasi, jeton në një ‘kuti metalike’ dhe po humb njërin sy

I ati e la jetim 4 vite më parë, më 26 nëntor tërmeti i mori shtëpinë ndërsa tashmë drita e njërit sy po e lë.

Kjo është historia e Indritit, të cilën emisioni ‘Shqiptarët për shqiptarët’ e ka përcjelljë nga qyteza e Mamurrasit. Stafi i emisionit u vu në dijeni të rastit falë shqetësimit të një gruaje. Kjo është Sanije Toçi, drejtoresha e shkollës 9 vjeçare ku studion dhe Indriti. Drejtoresha na tregon se jeta për familjen Qokaj ka qenë e trishtë.

“Një fëmijë i shkollës sonë pësoi një aksident në shtëpi, ne vendosëm si staf që të na ndihmoni që ai fëmijë të kryeje operacionin në sy, brenda tre orësh stafi juaj më ktheu përgjigje pozitive, për mua ishte sikur kisha bërë diçka për familjen time, babai i nxënësit ka ndërruar jetë para 4 vitesh, tërmeti i vitit të kaluar u shembi shtëpi, ata jetojnë në kontejner, janë në gjendje të rëndë ekonomike”-, thotë mësuese Sanija

Mes pamundësisë, varfërisë, humbjes së kryefamiljarit e tragjedisë së tërmetit, kohët e fundit një aksident solli dhe dëmtimin e syrit të Indritit, i cili po luante me shokun e tij. Një gur e ka goditur Indritin në sy, e për pasojë ai mbeti i lënduar, një plagë që kërkon me patjetër të paktën dy operime në mënyrë që djalit t’i rikthehet drita në sy.

“Unë po luaja me një shok, ma goditi syrin me një gurë… unë i kërkoj Elvis Naçit dhe shqiptarëve të më ndihmojnë që të operoj syrin”,-kjo është lutja e Indritit.

Por drita e syve të Indritit është e errësuar. Familja jeton me 40 mijë lekë në muaj dhe shuma e nevojshme për operacionet është e largët, e pamundur. Pas vdekjes së të atit, xhaxhai i tij Leka, ka qenë ai që është kujdesur për familjen.

Sikur të mos mjaftonte kjo tragjedi, familja jeton në një kontenier pasi banesa u dëmtua rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit. Nëna e Indritit tregon me lot në sy pamundësinë për t’i sjellë dritë syrit të të birit.

 “Mund të shes pjesë të trupit tim për syrin e djalit, këtë djalë kam vetëm pas 23 viteve martesë. Ka pasur dhimbje mjekohet me medikamentet, tani po bën analizat që të operohet, ndërhyrja duhet të bëhet i duhen dy ndërhyrje pasi goditjen e ka marrë shumë të rëndë thonë mjekët, e kam rritur me 500 halle, unë për këta fëmijë jetojë, të ardhurat e mia janë 40 mijë lekë të vjetra, vetë jam e papunë, operacioni është shumë i shtrenjtë”,-thotë e ëma e Indritit.

Por trishtimi e lotët do të mbarojnë shumë shpejt. Emisioni Shqiptarët për Shqiptarët e thërret Indritin dhe të ëmën në Tiranë. Paratë për operacionin janë gjetur tashmë dhe Indriti do të hyjë në sallën e operimit.