“Jeta ime një skëterrë, ç’e dua po s’pata djalin?” Rrëfimi i një nëne, i biri vuan nga tumori në kokë

 “Jeta ime një skëterrë, ç’e dua po s’pata djalin?” Rrëfimi i një nëne, i biri vuan nga tumori në kokë

9 vite më parë kësaj gruaje i erdhi mbase lajmi më i bukur në jetë. Ishte bekuar me dy fëmijë binjakë. Gjithçka shkonte mirë dhe fëmijët erdhën në jetë të shëndetshëm. Një vajzë, e quajtur Lorena dhe një djalë, i quajtur Lorenc.

“Kam tre fëmijë. Kur kam qenë shtatzanë, bëra ekon e më thanë ke binjakë. Një vajzë e një djalë. Filluan të ecnin të dy, të rriten, u lumturova se i kam rritur me sakrifica… por ai gëzim na u kthye në…”-thotë mes lotësh kjo nënë.

Emisioni “Shqiptarët për Shqiptarët” ka udhëtuar larg. Në fshatin Larushë të Këlcyrës. Një vizitë për të takuar familjen Pashollari. Një familje e varfër që mban në kurriz një barrë të rëndë.

Nevila mban pranë djalin e saj, Lorencin. 5 vite më parë, kjo nënë do të merrte lajmin më të hidhur.

Nevila: 4 vjeç ishte djali kur morëm përgjigjen e rezonancës. Më thanë që kishte tumor në kokë. Doktori më tregoi se nëse nuk do ta kisha sjellë brenda asaj jave, djali do të kishte ikur.  Një skëterrrë, më mirë të kisha vdekur vetë. Na thanë për një ndërhyrje. E bëmë. Shumë frikë kisha, se mos djalin nuk do ta shihja më. Na thanë doli mirë dhe më pas filluam kurimet.

Pavarësisht ndërhyrjes dhe kurimeve, gjendja e Lorencit nuk u përmirësua. Përkundrazi. Në tetor të vitit të kaluar, 9 vjeçari hyri sërish në operim. Sëmundja po i merrte shikimin.

Nevila: Në tetor na thanë se djali duhej të operohej sërish, pasi sëmundja po i merrte syrin. Na thanë se operimi ishte shumë i vështirë dhe se duhej të mundoheshim ta operonim jashtë. Ne nuk kishim mundësi dhe bëmë ndërhyrjen këtu. Nisëm dhe rrezet, por ato nuk i kanë ndikuar fare.

Sërish Lorenci nuk i ka shpëtuar sëmundjes. Pas 5 vitesh vuajtje, dhimbjet ende e zgjojnë nga gjumi. I dhemb koka, nuk ka fuqi, madje as në shkollë nuk ka mundur dot të shkojë. I vetmi vend ku shkon ky fëmijë, është spitali në Tiranë. Për Nevilën, 5 vitet e fundit kanë qenë një ferr. Ajo është e dorëzuar dhe mundësitë për të kuruar të birin, nuk i ka.

Nevila: Që nga tetori e deri më tani, ai nuk ka shkuar në shkollë. Nuk shkon dot, nuk ka fuqi, i dhemb koka, është si i përgjumur. 5 vite që vuajmë duke shkuar nga këtu në Tiranë. Rruga është e largët. Tre herë në muaj të shkosh… na kanë ndihmuar njerëz, por sado ne këtë punë kemi, sa do të na ndihmojnë njerëzit? Të ardhura nuk kemi. Unë shtëpiake jam, një lopë kam. Ku të punoj? Këtu në fshat nuk ka punë. Edhe burri e ka të vështirë të punojë se djali sëmuret shpesh. Ilaçet kushtojnë… po kur ke mundësi çfarë do të bësh. Të kem të jap shpirtin, se mundësi tjetër s’kam. Unë nuk e dua jetën pa këtë fëmijë. Çe dua jetën unë pa djalin?

Mes lotësh, shpresa në Zot nuk i është shuar. Mbase Ai lart ia shpëton djalin, e mbase shqiptarët ia lehtësojnë rrugën drejt shpëtimit. Ndaj kjo nënë bën thirrje drejtuar shqiptarëve, për jetën e të birit.

Nevila: Mbase Zoti e ndihmon… o Zot, të jetë bashkë me ne. Shumë frikë kam, shumë. Këtu në Shqipëri i rrezikohet jeta. I ka kapur cipën e trurit e këtu nuk bëjmë dot ndërhyrje. Doktorët na kanë thënë se këtu nuk na japin garanci. Operimi jashtë kushton 60 mijë euro. Unë shpresat i kam vetëm tek Elvis Naçi. I kërkoj shqiptarëve të vënë dorën në zemër.