Jetën ia mori i ftohti! Historia e trishtë e endacakut që kishte miliona në llogari bankare

 Jetën ia mori i ftohti! Historia e trishtë e endacakut që kishte miliona në llogari bankare

Të paktat veshje që kishte ishin shndërruar në rrecka. Trupi i tij ishte thuajse i fshehur në një kapanon telash e kartonësh. Kockë e lëkurë ishte. I vdekur nga i ftohti. Të paktën kështu thuhej në ato pak rreshta të raportit të mjekësisë mjeko- ligjore.

Historinë e tregon media e njohur italiane Corriere della Sera. I vdekuri quhet Quintino Diaco, 75 vjeçar. Trupi i tij u gjet pranë një stacioni metroje në Milano, teksa disa punëtorë kishin shkuar për të rregulluar disa binarë.

Por pjesa më e çuditshme e kësaj vdekje, është se ajo fare mirë mund të ishte evituar. 75 vjeçari nuk ishte thjesht një i pastrehë, që era e fatit e kishte përplasur rrugëve. Përkundrazi. Kuintino kishte një llogari bankare me 100 mijë euro, 19 mijë euro në aksione dhe një pension në Mynih të Gjermanisë prej 750 eurosh. Madje në njërën prej rrobave që ai mbante, kishte një zarv me rreth 1235 euro. Të gjitha këto pasuri, 75 vjeçarit mund t’i kishin siguruar një shtëpi të ngrohtë kushedi për sa muaj dhe jo fatin e ftohtë që i mori jetën dy ditë më parë.

Media italiane shkruan se 75 vjeçari i ngjante një fantazme që kishte zgjedhur të largohej nga kjo botë.

Iku nga shtëpia dhe nuk e pamë më kurrë, thotë motra e tij Kiarina.

“E kërkuam, por ai kurrë nuk deshte që të gjendej”-thotë e motra, e cila mbërriti në Milano për t’a parë për herë të fundit.

75 vjeçari shkonte shpesh në një qendër për të pastrehët, por jo për ushqim apo para. Kërkonte t’i caktonin një adresë postare dhe vetëm që t’i lexonin kur vinte posta.

“Kurrë nuk kërkoi para. As ushqim nuk pranonte. E kishim sinjalizuar si rast tek shërbimet sociale, por ai kurrë nuk pranoi asnjë lloj ndihme”-thotë një prej punonjësve të qëndrës për të pastrehët.

E motra, tashmë e dorëzuar për gjetjen fatkeqe të vëllait, thotë se shpreson të ketë një vend për të në parajsë.

“I lutem Zotit që ta presë atje lart, jam e sigurt se atje ka një vend për të”.