“Ju bekoftë Zoti” Disa vargje nga zemra, shkruar nga vajza që shpëtuan shqiptarët

 “Ju bekoftë Zoti” Disa vargje nga zemra, shkruar nga vajza që shpëtuan shqiptarët

“Më dhemb këmba shumë. Kam dëshirë të shkoj në shkollë, si të gjithë. Për 2021 s’kam shkuar fare. Babi për mua ka punuar e harxhuar shumë. Në Lezhë e çuam në spital pa ndjenja se e kapi tensioni e zemra prej meje… nga mërzia. Edhe unë kam dëshirë të bëhem si shoqet e mia. Ishalla më ndihmon dhe mua Zoti.”

Këto fjalë janë thënë nga një 12 vjeçare. Sytë i derdhnin lotë kur fliste. Prej dy vitesh vuante nga dhimbjet në njërën këmbë. Çalonte dhe rrezikonte ecjen.

Thirrja për ndihmë u bë disa javë më parë në emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët”. Për Megin nga Thumana, ishte një ndër ditët më të lumtura, kur mësoi se shqiptarët i kishin dalë në krah.

Tre operacione u deshën, që këmba e saj të rregullohej. Tre herë dhimbje për familjen e saj. Tashmë që operacionet kanë përfunduar, Sidriti dhe Meri Bejleri shkojnë për ta takuar vogëlushen. Sot, Megi është në këmbë dhe thotë se dhimbjet, janë vetëm një kujtim.

Sidriti: Megi në këmbë qeke? Si je moj zemër? Herën e fundit që të kam parë, kur kemi qenë me xhaxhi Visin, ke qenë e shtrirë.

Megi: Më mirë jam tani. Me 5 maj bëmë operimin e fundit.

Babai: Vajza është mirë. Ecën dhe për disa ditë me kambalecët, sepse duhet të mësojë këmbën. Por më tutje do t’i heqë. Çdo gjë ka shkuar perfekt.

Sidriti: Dhimbjet kanë kaluar Meg?

Megi: Po, tani nuk ka më. Dhimbjen e kam harruar.

Megi ka një shpirt të bukur. Sidriti me Merin i sollën një tortë, ndërsa ajo i priti me një tufë me lule dhe disa vargje, shkruar nga dora e saj e vogël. Vargje të një fëmije që sot është mirë falë shqiptarëve. Vargje që burojnë nga zemra.

Vargjet i gjeni ne video

“Megi Aliu, ju përshëndet

Dua me nis me ju tregu, për ngjarjen që më ndodhi mua,

Duke luajtur jam rrëzuar, në spital më kanë çuar,

Në spital të Shqipërisë pata dhimbje deri në brinjë,

Unë Megi derman nuk gjeta…

Një natë e mirë që më doli gjumi,

Iu drejtova Zotit të madh, që të më japë shëndet e fuqi,

Duke parë e dëgjuar, xhaxhi Elvisit i jam drejtuar,

Në spital më kanë çuar, shpejt e shpejt më kanë kuruar,

Të gjithë shqiptarët i bekoftë Zoti,

Që më kanë ndihmuar, në shkollë për të shkuar,

Shokët e shoqet për t’i takuar, të gjithë mësuesit me i bashkuar,

Mami Elona e babi Zeni, ju përshëndesin, si mami e babi me bijën e vete,

Në gjumë rashë, në ëndërr të pash,

Por kur u ngrita, xhaxhi Elvis thërrita,

Edhe bojë të mos kisha, do ta prisja gishtin tim,

Edhe gjaku që të më kullonte,

do ta shprehja këtë urim,

Sa yje ka bota ti s’mund ti numërosh,

Sa të dua unë ty s’mund ta besosh…