Ka harruar fytyrën e tij, por jo dashurinë për këta fëmijë! Historia e pazakontë e të moshuarit

 Ka harruar fytyrën e tij, por jo dashurinë për këta fëmijë! Historia e pazakontë e të moshuarit

Xhin MekGi (Gene McGehee) është 91 vjeçar dhe vuan nga demenca. Sëmundja është agravuar aq shumë, saqë kur i tregon foto të vetes, ai nuk e kujton fytyrën e tij.

Në këto kushte kaq të vështira, jeta e tij ishte kthyer në një vorbull mërzie e harrese… derisa njohu një grup fëmijësh në një kopsht aty pranë. Kujdestarja e fëmijëve, Megan Nunjez, e takon thuajse përditë Xhinin prej tre vitesh. Dhe përditë ajo duhet të prezantojë veten, sepse i moshuari nuk e mban mend.

“Çdo ditë e takoj Xhinin dhe ai nuk më njeh. I prezantohem.”-tha edukatorja për CBC news.

Fëmijët të gjithë e njohin dhe pavarësisht se i moshuari nuk i kujton, dita e tij kalon në buzëqeshje për disa orë. Derisa vjen darka dhe mendja i tij, zhytet në humnerën e harresës.

Vajza e të moshuarit shprehet se është një fat i madh që i ati ka ato fëmijë. Ai me të vërtetë i harron emrat e fytyrat, por instiktivisht del përditë prapa oborrit dhe i gjen fëmijët duke luajtur aty pranë.

“Ata fëmijë e kujdestarja kanë qenë një bekim për babain tim. Kur ai i sheh i shndërrit fytyra. Shkon vetë në oborr dhe mendoj se pavarësisht sëmundjes, ai e di se çfarë është dashuria. Mendoj se ai i përgjigjet pikërisht kësaj ndjenje, dashurisë që ka për ata fëmijë”-tha vajza e të moshuarit për CBS.

“Fëmijëve u themi që gjysh Xhini ka një sëmundje në kokë, prandaj nuk i kujton dot… por ama zemra e tij i mban mend të gjitha”-tha kujdestarja.

Mesa duket sëmundja i ka rrëmbyer shumëçka këtij të moshuari, por jo dashurinë dhe gëzimin që ndjen në zemër kur sheh këta fëmijë të vegjël.