Kanceri i mori të shoqin, shqiptarët i dhuruan shpresë! Si është sot Megi, nëna e tre fëmijëve

 Kanceri i mori të shoqin, shqiptarët i dhuruan shpresë! Si është sot Megi, nëna e tre fëmijëve

Jetonte e vetme me tre fëmijët e saj të mitur në një banesë me qira. Shtëpia i ‘falte’ lagështirë teksa ajo vuante që fëmijë prej astmës. Gjithçka ishte një sfidë për të. E rritur vetë jetime, tashmë ajo duhej të përballej sërish me vetminë në rritjen e djemve të saj. Të shoqin ia mori tinëzisht kanceri. Një dhimbje e papërshkrueshme dhe një barrë që i rëndon ende.

“Bashkëshorti ndërroi jetë nga kanceri në Gjermani… As nuk e konceptoja dot që ishte e vërtetë. Unë 12 vjeç kam humbur nenën, 18 vjeç kam humbur babin tim, ne nuk kishim pasuri por kishim njeri-tjetrin. Duke u kuruar thoshim do ia dalim do të marrim kurat, u përpoqëm për çdo gjë por kështu ishte thënë. Ai vuante për mua thoshte se nuk do ia dilja dot vetë, unë isha vetë e sëmurë, ai mendonte si do ia dilja unë.”-thoshte Megi për emisionin ‘Shqiptarët për Shqiptarët’.

Por pas aq shumë lotësh, lutjet e Megit u dëgjuan. Me kontributet e qindra shqiptarëve, emisioni ‘Shqiptarët për Shqiptarët’ i solli asaj një lehtësim të jashtëzakonshëm. Megi nuk kishte pse të qëndronte më në një shtëpi që po i merrte frymën dhe i rrezikonte fëmijët, pasi shqiptarët i dhuruan asaj një strehë të vetën.

‘Shqiptarët për Shqiptarët.info’ i është rikthyer sërish historisë së saj. Megi na pret e buzëqeshur. Fatmirësisht, fëmijët e saj nuk i gjen më në lot, përkundrazi.

Për më tepër ndiqni klipin.

Megi: Çdo gjë është më e lehtë për mua, sepse m’u hoq një barrë shumë e madhe. Fëmijët janë më të qetë në shkollë janë më të përqendruar, më sociale.

Ka patur njerëz që pas emisionit na kanë kontaktuar, na kanë kërkuar në forma të ndryshme, na kanë ndiohmuar. Më kanë kontaktuar dhe thjesht për të thënë një fjalë të mirë, gjë që ndihmon shumë.

Do jem gjithmonë mirënjohëse. Janë gjithmonë në lutjet e mia e asnjëherë unë e fëmijët nuk e harrojmë. Edhe nëse ke përkrahje apo je në çift, nuk është e thjeshtë të arrihet një shtëpi sot dhe kjo ishte një dhuratë e paçmueshme.

Falenderimet janë për të gjithë ata që e kanë nisur si program, dhe për të gjithë ata që kanë kontribuuar. Unë prekem, prekem sa herë që e mendoj. Është mirë kur shikon se nuk ka humbur mirësia tek njerëzit edhe ka akoma shpresë për të gjithë… është mrekulli.