Këmbëkryq në mes të mjerimit! Rrëfimi i të moshuarit nga Mitrovica, jeton duke mbledhur kanaçe

 Këmbëkryq në mes të mjerimit! Rrëfimi i të moshuarit nga Mitrovica, jeton duke mbledhur kanaçe

“Shqiptarët për Shqiptarët’ udhëtoi në Kosovë. Në Mitrovicë na presin në banesë familja Shala, Milzaimi e Fatimja.

Milzaimi del përpara. Është në moshë të thyer. Duart i ka të copëtuara nga varfëria ku jeton. Ai së basku me 4 anëtarët e tjerë të familjes.

Ai është i sprovuar në jetë. Fëmijët i ka me probleme të shëndetit mendor dhe pavarësisht se muskujt e kockat i janë thinjur prej moshës, sërish i duhet të dalë në rrugë për të gjetur para për ta mbajtur familjen.

Për emisionin flet Fatimja, e cila thotë se Milzaimi endet në kazanët e plehrave për të mbledhur shishe plastike. Jetesa është tepër e rëndë. Mezi mblidhen 10 euro në javë dhe ato aq pak nuk dalin as për thërrime.

Zemrën e kësaj nëne e therr dhe një tjetër plagë. Djalin e ka sëmurë dhe në nevojë të barnave. Por me 10 euro në javë, as fryma nuk mbahet gjallë. Fatimja i lëshon lotët. Nuk di çfarë të bëjë tjetër. Varfëria e ka tretur.

 “Jemi pesë anëtarë. Plaku mbledh shishe plastike, brenda një jave mezi i bëj 5 ose 10 euro. A të paguaj energjinë elektrike? A të blej diçka për të ngrënë? A t’i blej fëmijëve rroba?  Jetojmë në këtë barrakë, ka qene e shkatërruar që nga koha e luftës. Djemve ua japin për të ngrënë fqinjët. Të voglin e kam sëmurë, por nuk ka para për ilaçe apo ta operoj. Mezi sigurojmë bukën e gojës. Ata nervozohen, mërziten. Nuk di çfarë tu bëj”,-rrëfen e moshuara Fatime Shala.

Milzaimi thotë se ka vuajtur gjatë gjithë jetës. Madje tregon dhe një rast kur një makinë e ka përplasur dhe e ka hedhur tutje në kanal.

Këmbëkryq në shesh të shtëpisë qëndron, kurse po të ngresh kokën lart, vështron qartë se banesa ku jeton kjo familje me 5 anëtarë, është e rrënuar.