“Këtu është më keq sesa të jesh gjallë” Lutja e një nëne me tre jetimë: Dua të ndryshoj fatin e tyre

 “Këtu është më keq sesa të jesh gjallë” Lutja e një nëne me tre jetimë: Dua të ndryshoj fatin e tyre

Disa muaj më parë kjo grua humbi të shoqin. Brunilda quhet dhe është veçse 27 vjeçe. Kur e dëgjon të tregojë për hallet e saj, të duket sikur përballë ke një të moshuar. Vështirësitë me të cilat përballet ajo mund t’ mos t’i kenë rrudhur fytyrën e duart, por shpirti i saj është mpakur dita- ditës… nga vërshimet e dhimbjes, varfërisë, pamundësisë për të ushqyer fëmijët, e mungesës së plotë të shpresës për jetën e saj.

Emisioni “Shqiptarët për Shqiptarët” udhëtoi në fshatin e largët Kroi i Madh në Krujë, për të takuar nënën e tre jetimëve. Brunilda tund në djep Hamitin veçse 7 muajsh, ndërsa Ambra 4 vjeçe e Arni 2 vjeç i qëndrojnë pranë.

Brunilda: Nuk ka gjë më të keqe, sesa të vuash për bukë e të qash për derman. E fillova jetën shumë e re. 15 vjeç. Me halle jam rritur, me halle kam jetuar, me halle gjithçka.

Im shoq vdiq i ri dhe fëmijët i la të vegjël… edhe mua më ka lënë një hall të madh. Jeta këtu është skandaloze, rrugë nuk ka, dyqan jo, shkollë spital asgjë nuk ka. Këtu pak banorë kanë mbetur. Në dimër është e vështirë, çfarë bie jashtë hyn brenda. Ne flemë nën ujë. Si flemë ne, mos fleftë askush. Këtu as energji elektrike nuk ka, në shi, botë e të ftohtë.

Kjo familje jeton në një banesë të rrënuar. Dhoma ku flinin është gati për t’u shembur. I vetmi vend që ka mbetur është dhoma e ndenjes dhe një vatër zjarri. Asgjë më shumë, ndërsa të këqijat nuk numërohen.

Brunilda: Çfarë janë gjarpërinj, i nxjerrim njëherë në dy ditë nga shtëpia. Kalamajtë i ka ruajtur Zoti. Këtu vdes për ujë e për bukë, për çdo gjë.

Punë nuk ka. Nuk kemi as pension, as rrogë e asgjë. 80 mijë lekë merr nëna për ilaçet e as nuk i dalin. Kemi jetuar me çfarë na kanë falur të tjerët, me sevap. Tani është… nuk kam çfarë t’i bëj fëmijëve. ça të bëj? E pamundur është, këtu nuk ke punë. Po të kishte do punoja, por këtu… Të jetosh këtu është më keq sesa të jesh gjallë. Por hatri i fëmijëve… se fëmija të futka në dhe. Nëse e di se dikush i ndihmon e i fut në një shtëpi, nuk e dua jetën më.

Kjo nënë, veçse 27 vjeçe, nuk kërkon asgjë për veten. Lutjet e saj shkojnë vetëm për fëmijët e saj të mitur.

Brunilda: Vetëm kam një lutje për ata që kanë fëmijë vetë, të bëjnë sevap për këta jetimë. Vetëm një dhomë, nuk dua kurrgjë më shumë. Të kenë një dhomë në qytet. Kaq kërkoj.

Nuk dua të ndryshoj fatin tim, por vetëm të kalamajve. Zotit i lutem të më plotësohet kjo dëshirë, asgjë tjetër.