Kryeveprat e natyrës, foto të flokëve të dëborës siç nuk i keni parë ndonjëherë

 Kryeveprat e natyrës, foto të flokëve të dëborës siç nuk i keni parë ndonjëherë

Kalkulohet se gjatë dimrit, bien sikstiliona flokë dëbore… thënë ndryshe një numër me 21 zero prapa. Shumica dërrmuese e këtyre flokëve të dëborës shkrijnë, çka mbetet mund të gjendet në vendet arktike apo në male.

Por ka disa njerëz, që flokët e dëborës duan t’i shohin nga afër, në detaje.

Kenneth G. Libbrecht, një profesor i fizikës në Institutin e Teknologjisë në Kaliforni (SHBA), ka shpenzuar një çerek shekulli për të kuptuar sesi një substancë kaq e thjeshtë sa uji, mund të ngrijë në mijëra mënyra dhe të prodhojë po aq forma.

“Si krijohen flokët e dëborës? Dhe si ka mundësi që këto struktura shfaqen, siç thotë shprehja “nga hiçi”?”-pyet fizikanti.

Një prej njerëzve të mahnitur nga studimet e këtij fizikanti është një fotograf i quajtur Nathan P. Myhrvold, një ish- shef i teknologjisë në Microsoft.

Të dy u takuan thuajse një dekadë më parë dhe në pranverën e vitit 2018, vendosën të bënin fotografi të flokëve të dëborës.

“Na u deshën 18 muaj për të krijuar “aparatin” që do të bënte fotografitë.”-thotë Dr. Myhrvold.

Po pse kaq shumë kohë? “Kjo dreq gjëje”, siç e quante Dr. Myhrvold ishte një sistem kamerash që kishte sensorët më të mirë dixhitalë dhe arrinte të kapte miliona piksela.

“Flokët e dëborës janë shumë shumë të brishtë dhe të komplikuar, ndaj të duhet një rezolucion i lartë”- shprehej doktori.

Pas 18 muajsh punë, të dy përfunduan ndërtimin e kësaj ‘makinerie’, shkruan The New York Times.

Uji është një molekulë e thjeshtë, 2 atome hidrogjeni e një oksigjen. Por kur temperatura bie nën zero gradë celcius, molekulat nisin të ‘ngjiten’ me njëra- tjerën. Një flok dëbore ‘lind’ në një re kur pikat e ujit ngrijnë në një kristal akulli. Forma e molekulës së ujit, bën që kristalet të bashkohen nën një formë hekzagonale. Ndaj dhe flokët e dëborës kanë formë arketipike me 6 ‘krahë’. Kristalet më tutje rriten duke ‘thithur’ avujt e ujit nga ajri apo nga të tjera pika uji.

Dr. Libbrecht thotë se “duhen rreth 100 mijë pikëza uji (droplet) që të avullojnë për të krijuar një kristal dëbore”. Flokët e dëborës formohen kësisoj nën modele të ndryshme, duke krijuar lloje (në pamje) të ndryshme.

“Për shkak se rënia e pikave të uji nga retë është e komplikuar, edhe flokët e dëborës marrin forma të komplikuara. Kjo pasi të gjitha ndjekin rrugë të ndryshme, e kësisoj secila prej flokëve të dëborës nuk ka ngjashmëri me tjetrën.”-tha doktor Libbrecht.

Dhe për të kapur format e veçanta, këta dy shkencëtarë shkuan në veri, shumë në veri… për të bërë këto foto.