Kualifikueset e botërorit 2022, Broja i jep fitoren kuqezinjve! Kosova barazon me Greqinë

 Kualifikueset e botërorit 2022, Broja i jep fitoren kuqezinjve! Kosova barazon me Greqinë

Kombëtarja e Shqipërisë ia doli të marrë një fitore ndaj Hungarisë, në ndeshjen e radhës për kualifikueset e Botërorit 2022.

Ndeshja e zhvilluar në Elbasan Arena ishte dhe rikthimi i tifozëve në stadium pas mëse 1 viti e gjysëm si pasojë e pandemisë.

Në tërësi kuqezinjtë bënë një ndeshje të mirë kundër hungarezëve dhe u shpërblyen me tre pikëshin. Golin e vetëm të ndeshjes e realizoi në minutën e 87’ Armando Broja. Një gol me peshë që e rendit Shqipërinë deri më tani në vendin e tretë me 9 pikë.

Kosova u përball këtë mbrëmje me Greqinë, ndeshje e vlefshme në grupin B për kualifikueset në Botëror. Një ndeshje e fortë me shumë përplasje (plot 5 kartona të verdhë) dhe lojë të fortë.

Golin e parë e realizuan grekët përmes Anastasios Douvikas, i cili mori një asist dhe shënoi në minutat shtesë të pjesës së parë.

Pjesa e dytë solli një Kosovë me një tjetër mentalitet e madje dhe më një formacion të ndryshuar. Goli i barazimit erdhi në minutat e fundit të ndeshjes nga Vedat Muriqi.