Kullën e vjetër e shkatërroi tërmeti, familja në Sopot në qiell të hapur

 Kullën e vjetër e shkatërroi tërmeti, familja në Sopot në qiell të hapur

Në fshatin Sopot të Bulqizës banon familja Keta. Historia e tyre ishte në foks të emisionit “Shqiptarët për shqiptarët” këtë të premte. Kryefamiljari Bashkimi është 61 vjeç, ai banon në këtë fshat me gruan Dritën dhe Ernestin 14 vjeç. Banesa e tyre është kjo kullë e vjetër e cila është bërë e pabanueshme prej dy vitesh, por tërmeti i 21 shtatorit e ka bërë krejtësisht të pabanueshme. Kulla është shkatërruar e gjitha duke i lënë në qiell të hapur e në mëshirë të fatit.

Familja, e cila jeton në varfëri ekstreme ka përfituar një çadër që e ka marrë nga Bashkia e Bulqizës kur ra tërmeti i shtatorit. Çadrën e kanë vendosur bashkë me disa llamarina në sheshpushimin e shkallëve të jashtme. Kur i takuam në një ditë të ftohtë me shi Drita tha se banesa brenda është e shembur, ajo ka nxjerrë sobën jashtë për të gatuar.

“Këtu kam vënë edhe dy divanë, ishim jashtë kur ra tërmeti i fundit, brenda ka rënë gjithë muri. Ne nuk kemi as tokë, asgjë nuk kemi. Më parë jetonim brenda por ra tërmeti u dëmtua u shemb dhe kemi dalë. Nuk kemi asnjë kush këtu është acar, burri im është i sëmurë invalid, është i paralizuar, kemi KEMP-in e tij, ndihmë ekonomike marr 39 mijë lekë, kemi 2 vjet në çadër, vetë jam sëmurë shumë. Jam jo lodhur e mërzitur por ndonjëherë them nuk e dua më jetën Jam e këputur. Në dimër ditë e natë e mbajmë sobën ndezur, përtokë flemë. Kur bën acar burrin e fus në dhomën e rrënuar. Shkallët e katit të dytë janë shkatërruar, lartë nuk jetohet më. Burri ka dy vjet i paralizuar, Zoti bëri mrekullinë që e la”, -thotë Drita.

Bashkimi kryefamiljari i paralizuar tregon vështirësitë me lot në sy “Këtu rrimë në çadër, jemi mërzitur, nuk jetohet. Më mirë vdek se gjallë”, -shprehet ai. Gazetari i emisionit “Shqiptarët për shqiptarët” Ferit Lika u thotë se ka ardhur në emër të Elvis Naçit dhe se duhet të bëhen gati për të lëvizur në një vend tjetër. Po ku do të shkojnë ata?