Kur nuk vjen mësuesi, ky 9 vjeçar i verbër u mëson vogëlushëve Kur’anin dhe shkencat

 Kur nuk vjen mësuesi, ky 9 vjeçar i verbër u mëson vogëlushëve Kur’anin dhe shkencat

Këtu jemi në një qytet të konsumuar nga lufta. Taiz quhet qyteti dhe ndodhet në Jemen. Luftimet atje vijojnë, ndërsa qindra fëmijë marrin përditë përsipër rrezikun për të shkuar në shkollë.

Por shkolla nuk është si ajo që jemi mësuar të shohim. Këtu shkolla nuk ka as mure, dritare apo tavan.

Pikërisht këtu disa mësues u japin dijet e para fëmijëve të vegjël. E kur ata nuk ndodhen aty, ai që merr përsipër të mësojë është ky 9 vjeçar. Ahmed quhet. BBC i ka kushtuar një kronikë këtij djaloshi, i cili që nga lindja është i verbër. Pavarësisht, Amed i mëson vogëlushëve, ashtu siç thotë ai vetë, ato që tashmë ai i di.

“U mësoj nxënësve atë që unë tashmë e kam mësuar. Më të thjeshtat për mua janë Kur’ani dhe shkencat… këtu neve na duhet gjithçka. Një shkollë e re, klasa, banka, dyer e dritare, drita…Na duhet një ndërtesë ku ka çati e mure që era e shiu të mos hyjnë brenda.”-thotë 9 vjeçari për BBC.

“Të shtëna dëgjojmë përherë. Ndonjëherë kur i dëgjoj të shtënat, më duket sikur do të vdes.-thotë Ahmedi.

“Kemi shumë frikë nga të shtënat, mos plumbat vijnë këtu… kemi shumë frikë nga minat. Në shkollë vijmë dhe ikim duke marrë rrezik shumë të madh, por ne duam të vijmë të takojmë shokët e shoqet, të mësojmë që kur të rritemi të bëhemi diçka, nëse Zoti i madh e lejon”-thotë kjo vajzë e vogël.

Një në çdo 5 shkolla në Jemen ka dalë jashtë përdorimit, por tek kjo godinë e rrënuar, mësuesit kanë vendosur që të vijojnë mësimin pë të mos i lënë fëmijët analfabetë.