Kur rinia sjell shembullin qytetar, shikoni se çfarë ndodhi në grykëderdhjen e Ishmit e në Krastë

 Kur rinia sjell shembullin qytetar, shikoni se çfarë ndodhi në grykëderdhjen e Ishmit e në Krastë

Dhjetëra studentë dhe gjimnazistë nga qytetet e Tiranës dhe Durrësit u mblodhën fundjavën që lamë pas në grykëderdhjen e lumit Ishëm, në një aksion pastrimi të mbeturinave.

Pavarësisht shiut dhe baltës, të rinjtë së bashku me mësues e pedagogë kanë pastruar nga mbetjet lumin Ishëm, duke grumbulluar afro 600 thasë me mbetje urbane e plastikë. Si një ndër lumenjtë më të ndotur në vend, mes grumbullit të plehrave janë gjetur dhe mbetje spitalore.

Në aksion u përfshinë dhe qytetarë e kompani për të ndihmuar në transportimin e mbetjeve të mbledhura, teksa grykëderdhja e lumit Ishëm mbetet një ndër zonat më problematike të ndotjes së detit Adriatik.

I njëjti gjest qytetar është bërë dhe në pyllin e Krastës në Elbasan, një vend i frekuentuar shpesh nga banorët e qytetit. Një grup studentësh atje janë bërë bashkë për të pastruar pyllin nga grumbujt e plehrave të hedhura apo lëna në tokë. Studentët po ashtu kanë sensibilizuar me mesazhe ndaj qytetarëve që zgjedhin të shkojnë për piknik atje dhe të lënë prapa të gjitha plehrat.