La djalin 3 ditësh tek familja rome, nëna biologjike e 10 vjeçarit tregon historinë e saj

 La djalin 3 ditësh tek familja rome, nëna biologjike e 10 vjeçarit tregon historinë e saj

Esmeralda Kamena quhet gruaja e cila 10 vite më parë la djalin e saj vetëm 3 ditësh në banesën e një familje rome e cila e priti. Në atë kohë Esmeralda ishte 18 vjeçe. Sot ajo ka folur në emisionin ‘Shqipëria Live’ pas prononcimit të Elvirës e Elez Dungajt, çifti i komunitetit rom që e mori djalin e Esmeraldës dhe e rriti si të tyrin.

Nëna biologjike e djalit tha se ka qenë jetime që fëmijë për shkak të ndarjes së prindërve. Nëna e ka braktisur, ndërsa i ati e ka dërguar tek e halla. Kjo e fundit e ka rritur, por sipas Esmeraldës në atë familje ajo është dhunuar vazhdimisht.

“Jam rritur te halla ime pasi prindërit janë ndarë. Nëna më ka lënë që 6-muajshe.  Më kanë rrahur dhe torturuar, halla dhe kushërinjt. Kush i çonte i pari në këmbë më rrihte dhe nuk e di pse. Isha vetëm kalama. Jam rritur në Laprakë.

Babin e kam njohur kur kam qenë 6-7 vjeçe, unë atëherë i thosha dajë. Unë nisa të interesohesha më pas ehde për nënën time.

Pas 24-vitesh kam njohur nënën time për herë të parë, pasi erdha në Gjermani. E kam gjetur përmes “Facebook”-ut. Kam shkuar në Itali dhe e kam takuar. Ishte e martuar dhe kishte një vajzë. Kam qëndruar 2 javë së bashku me çunin e vogël. U riktheva në Gjermani ku jetoj me ndihmën e shtetit.

Nëna ime më ka kërkuar gjithmonë, por babai e ka rrahur. Halla dhe nusja e xhaxhit e kanë gënjyer babanë, duke i thënë se ajo e ka tradhtuar. E nga dhuna, nëna është larguar e më la.

Te halla ime kam jetuar deri në moshën 11 vjeçe, e pastaj ika për Greqi. Nuk i duroja dot më të rrahurat dhe gjërat që më thoshin. Babai asnjëherë nuk më ka rrahur.

Kam ikur me një grup nga Elbasani, ju luta që të më merrnin me vete. Ata më lanë në Greqi. Ika te një familje në Greqi ku punoja për të ngrënë. Aty jetova 2 vite e ca e më pas u riktheva në Shqipëri, ku kam fjetur në rrugë apo shkallëve të pallatit.”-tha Esmeralda.

Më tutje Esmeralda shprehet se në Greqi e kanë përdhunuar. Atje mësoi se kishte mbetur shtatzënë. U rikthye në Shqipëri, ku jetoi rrugëve.

Esmeralda: Kam qenë 18 vjeçe. Dy muaj para se të vija në Shqipëri mora vesh se isha shtatzënë. Në Greqi jetoja me një djalë, i cili më nxori jashtë pasi mori vesh se isha shtatzënë. Kam pas punuar në një diskotekë në Greqi dhe aty më kanë përdhunuar 5 vetë.

E kam lindur në Shkodër djalin pasi po kërkoja një shtëpi, se kisha gjetur një punë. Linda djalin dhe nuk kisha ku të qëndroja. Ika sërish te halla ime. Dy ditë e mbajtën e më thanë që të shkoj të punoj se çfarë do hajë djali.

Shkova për të punuar dhe më pas më thanë hajde te shinat e trenit dhe aty e gjeta hallën me djalin. E mora çunin dhe nuk dija ku të shkoja. Ishte shumë ftohtë, kisha frikë se çuni do më vdiste nga i ftohti. Mora në telefon një shok që i thashë se doja të më ndihmonte. Më dërgoi te Elvira, e cila ishte shumë e dashur dhe e respektuar.

Esmeralda foli me Elvirën ku i kërkoi që të mund të mbanin kontakte dhe se djalin nëse ajo nuk dëshiron, nuk do t’ja marrë.

“Ajo ka vuajtur si unë. Do e kisha mbajtur djalin nëse ajo do të më tregonte të vërtetën. Ajo e ka nënën e saj në Itali, por unë për Esmeraldën jam si nënë e dytë”, tha Elvira.

“Nëse Elvira thotë hajde e merre se unë nuk kam takat që ta rris, atëherë mund ta marr. Nëse ajo nuk do që të ma japë, unë nuk ja marr, pasi djali njeh atë për nënë. Por unë dua t’i them Elvirës që të mos shkëpusë kontaktet me mua, të di se si është djali”, tha Esmeralda.